MKRS-ja licencoi edhe shtatë federata tjera sportive
Prishtinë, 10 mars - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sot, në një ceremoni zyrtare, të organizuar në kabinetin e ministrit Kujtim Shala, dha licencat për shtatë federata, për katër vitet e ardhshme, të cilat kanë përmbushur të gjitha kriteret e parapara me Ligjin për Sport dhe me Udhëzimin Administrativ.
Në praninë e drejtuesve të të shtatë federatave, ministri Shala, ndau licencat për Federatën e Hendbollit, Volejbollit, Boksit, Shahut, Punëtorëve sportivë, Bodibildingut dhe Kik Boksit.
Me këtë rast, ministri Shala, i përgëzoi drejtuesit e federatave për përmbushjen e kritereve për licencim, dhe u shpreh se ky akt hap rrugën për proceset tjera, me anë të të cilave MKRS-ja ndihmon programet e federatave respektive.
Gjithashtu, ministri tha se MKRS-ja në vazhdimësi i përkrah federatat edhe sportin për përgjithësi edhe përmes investimeve kapitale në infrastrukturë anekënd Kosovës në mënyrë të ofrimit të kushteve për sportistë që të garojnë dhe të përgatiten për përfaqësim sa më cilësor brenda dhe jashtë vendit.
Drejtuesit e federatave e falënderuan ministrin Shala për mbështetjen e vazhdueshme dhe gatishmërinë për mbështetjen e aktiviteteve brenda dhe jashtë Kosovës dhe u zotuan se ky bashkëpunim do të vazhdojë, me qëllim të zhvillimit dhe të avancimit të sportit të Kosovës, duke u fokusuar jo vetëm në pjesëmarrje nëpër garat e ndryshme por edhe në cilësi dhe konkurrencë.
Deri më sot, janë licencuar 22 federata, ndërsa memorandumet me shtatë federatat që janë licencuar në ceremoninë e sotshme do të nënshkruhen javën e ardhshme.