MKRS investon 500 mijë euro për sportin në Ferizaj
Prishtinë, 25 prill - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi është pritur sot në takim nga kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.
Në këtë takim, mes MKRS-së dhe Komunës së Ferizajt janë nënshkruar dy memorandume bashkëpunimi për mbështetjen financiare për realizimin e projekteve “Ndërtimi i Sallës Sportive në Greme të Ferizajt” për të cilin MKRS-ja investon 300 mijë euro dhe “Renovimin e stadiumit të futbollit në Ferizaj” për të cilin MKRS-ja investon 200 mijë euro, investime të cilat do të bëhen gjatë vitit 2018.
Ministri Gashi tha se këto investime po bëhen me qëllim të krijimit dhe avancimit të infrastrukturës sportive. “Pas këtyre investimeve të rinjtë e Ferizajt dhe sportistët e këtij qyteti do të kenë mundësi më të mira për realizimin e aktiviteteve të tyre sportive. Ne si Ministri jemi të përkushtuar që të ndihmojmë komunat në realizimin e projekteve kapitale në plotësimin e infrastrukturës sportive. Edhe memorandumet e nënshkruara sot me kryetarin Aliu janë në këtë vazhdë”, u shpreh ministri Gashi.
Ai po ashtu tha se bashkë me kryetarin Aliu u dakorduam që bashkërisht të fillojmë procedurat që Komuna e Ferizajt të bëhet Qendër Rajonale e Trashëgimisë Kulturore. Gjithashtu ministri Gashi veçoi “Sot ëhtë ditë e veçantë për të gjithë artdashësit e në veçanti për të rinjtë e Ferizajt, sepse sot bashkë me kryetarin Aliu u dakorduam edhe për përmbylljen e projektit për Qendrën Rinore në mënyrë që të rinjve tu krijohet hapësirë për zhvillimin e aktiviteteve të tyre.
Po ashtu ne u zotuam edhe për mbështetje të fuqishme për Festivalin e Teatrit. Jemi të interesuar që brenda vitit 2018 të bëjmë një ligj të ri për teatrot në mënyrë që aktorët të hyjnë në listën e pagave dhe që aktivitetet e teatrove komunale të përkrahen financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”.
Ndërkaq kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, shprehu falënderim të veçantë për ministrin por edhe për nënshkrimin e këtyre memorandumeve. “Ferizaj paraqet qendër të rëndësisë kulturore dhe historike dhe është e rëndësishme të mbështetet në projekte të veçanta, sidomos të rinisë, që është edhe përkushtim i veçantë i ministrit Gashi”, tha kryetari Aliu.
“Sot nënshkruam edhe marrëveshjen për renovimit të stadiumit dhe siguruam përkrahjen nga ana e ministrit për aktivitetet tjera pasi që Ferizaj është qytet i ri por me një traditë të madhe sa i përket festivaleve të teatrove”, shtoi Aliu.