MKRS investon 25.000 për fushat sportive Kërpimeh
Prishtinë, 28 gusht – Ministrja Dumoshi viziton Komunën e Podujevës. Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi ka vizituar sot Komunën e Podujevës. Me ç ‘rast ka nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit me kryetarin e Podujevës Nexhmi Rudari për fushat sportive në Kërpimeh, të cilat janë investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në vlerë prej 25.000 euro, projekt ky që do të implementohet gjatë vitit 2020.
Ministrja Dumoshi tha se ndihet tepër e lumtur që pati rastin të vejë gur themelin në Kërpimeh si Ministre e Kulturës Rinisë dhe Sportit të qeverinë Mustafa dhe që po e sheh këtë projekt të jetësuar në këtë mandat. Ky përkushtim tregon edhe gatishmërinë e qeverisë Hoti për të përkrahur rregullimin e infrastrukturës sportive, gjithmonë në dobi të qytetarëve të Kosovës.
Kryetari Rudari në anën tjetër e falënderoi Ministren Dumoshi për vizitën e saj në Podujevë dhe u shpreh shumë i kënaqur që Podujeva është prioritet investimi për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sepse vërtetë qytetarët e Podujevës kanë nevojë për kushte më të mira sportive, rinore e kulturore.
Vizitën në Podujevë, Ministrja Dumoshi e vazhdoi bashkë me Ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj me të cilin shpërndau maska në kuadër të projektit “Be with us”, projekt ky i mbështetur nga Ambasada e Japonisë në Kosovë, UNICEF dhe organizata PEN.
Ministrja Dumoshi e ka zhvilluar këtë aktivitet në funksion të respektimit të masave anti - Covid 19 për sensibilizimin e qytetarëve e sidomos të rinjve për luftimin e pandemisë.
MKRS do të investojë në të gjitha Komunat e Kosovës pa dallim dhe do ta ketë prioritet rregullimin e infrastrukturës sportive, rinore e kulturore.