MKRS investon 1.5 milion euro për Palestrën e Sporteve në Viti
Ministri Kujtim Shala dhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i vlerësuan lartë projektet përbashkëta ndërmjet ministrisë dhe komunës, të cilat janë të dobishme dhe në interes për gjithë qytetarët e kësaj komune.
Me këtë rast, ministri Shala u shpreh se MKRS-ja është e përkushtuar që të bashkëpunojë ngushtë me komunat e Kosovës, dhe ti ndihmojë ato në përmirësimin e infrastrukturës në fushat që mbulon MKRS-ja.
Më tej Shala shtoi se kjo Palestër moderne, do të krijojë kushte shumë të mira dhe në përkim me standardet bashkëkohore, për zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të sportit në këtë vend.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, e falënderoi ministrin Shala për bashkëpunimin e gjertanishëm, në shumë projekte me rëndësi për Komunën e Vitisë, dhe u shpreh se ky bashkëpunim është në interes të gjithë qytetarëve të kësaj komune.
Kryetari Haliti më tej u shpreh se ky projekt është i një rëndësi të veçantë, meqë Komunës së Vitisë i ka munguar një objekt i tillë, dhe shtoi se me këtë investim kapitale, ndikohet dukshëm në përmirësimin e infrastrukturës së sportit në këtë vend, dhe gjithashtu krijohen kushte të volitshme për zhvillimin e sportit.