MKRS do të investojë në renovimin e Stadiumit të Prishtinës
Prishtinë, 25 janar - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, priti sot një delegacion të Klubit Futbollistik FC Prishtina, të drejtuar nga nënkryetari Afrim Muçiçi dhe drejtori Sokol Krasniqi, me të cilët bisedo rreth investimeve që pritet të fillojnë së shpejti në Stadiumin e Qytetit të Prishtinës.
Ministri Shala me drejtuesit e FC Prishtina bisedoi rreth përgatitjeve që po bëhen që të fillojë implementimi i Memorandumit të Bashkëpunimit mes MKRS-së dhe Komunës së Prishtinës, për të investuar në projektin Renovimi i Stadiumit të Qytetit të Prishtinës.
Vlera e përgjithshme e këtij projekti është 5 milion e 700 mijë euro. Sipas Memorandumit në fjalë, MKRS-ja do ti investojë 75% e vlerës së këtij projekti, ndërsa Komuna e Prishtinës participon me 25%.
Drejtuesit e FC Prishtina e falënderuan ministrin Shala për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep sportit të Kosovës, dhe veçmas për këtë investim kapital në Stadiumin e Prishtinës, me çka krijohen lehtësira për zhvillimin e këtij klubi, por edhe të futbollit të Kosovës në përgjithësi.
Ministri Shala u shpreh se me këtë investim kapital, Stadiumi i Prishtinës, do ti plotësojë të gjitha standardet e kërkuara ndërkombëtare, në prag të ndërkombëtarizimit të futbollit të Kosovës.
Po ashtu, në këtë takim u thua se të gjitha procedurat e tenderimit rreth këtij projekti po ecin sipas dinamikës së paraparë dhe shumë shpejt pritet të fillojnë punimet.