MKRS do ta përkrah edhe në të ardhmen Komitetin Olimpik
Prishtinë, 22 dhjetor - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka pritur në takim kryetarin e rizgjedhur të Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, me të cilin diskutuan për planet dhe bashkëpunimin mes MKRS-së dhe KOK-ut me qëllim të ngritjes së sportit në përgjithësi.
Ministri Shala e ka uruar Hasanin për rizgjedhje në drejtimin e KOK-ut edhe për një mandat katër vjeçar.
Ai u shpreh se MKRS-ja do ta përkrah edhe në të ardhmen Komitetin Olimpik të Kosovës, me synimin që mbështetja të rritet vit pas viti, por edhe duke e siguruar kryetarin Hasani që KOK-u do të ketë pavarësi të plotë të funksionimit.
Ndërkaq, kryetari i KOK-ut, Besim Hasani e falënderoi ministrin Shala për urimin dhe gatishmërinë për ta ndihmuar edhe më tej Komitetin Olimpik.
Ai e informoi ministrin për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në KOK, ku përpos kryetarit u zgjodhën edhe nëntë anëtarët e Bordit Ekzekutiv të KOK-ut dhe katër nënkryetarët e tij.
Gjithashtu, Hasani e njoftoi ministrin edhe për planet dhe përgatitjet për ciklin e ardhshëm olimpik 2017 2020, ky synimet janë që të prezantohemi edhe më me tepër sukses e cilësi.
Të dy u pajtuan që sporti të jetë edhe më tutje ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës, me fokus në investimet kapitale në infrastrukturën, masivizimin e sportit, ngritjen e cilësisë dhe nxjerrjen e talenteve të reja.