Mitrovica shënon Ditën Olimpike të Kosovës
Mitrovicë, 27 maj - Rreth 300 filloristë nga disa shkolla të qytetit të Mitrovicës, sot kanë marrë pjesë në aktivitetin e vrapimit që u mbajt në shënim të Ditës Olimpike të Kosovës.
Komiteti Olimpik i Kosovës e ka zgjedhur këtë ditë për promovimin e sportit për fëmijët, pasi kjo datë ka rëndësi të veçantë, sepse pikërisht sot, 27 vjet më parë, më 27 maj 1992, në kohën kur sporti i Kosovës ishte i izoluar, u themelua Komiteti Olimpik i Kosovës.
Me këtë rast nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, tha se komuna e Mitrovicës është duke punuar mjaft shumë në promovimin e sporteve dhe mbështetjen e aktiviteteve sportive në territorin e saj, ku sipas tij, të rinjtë, sporti dhe kultura janë promovuesit më të mirë të paqes në botë.
“Qëllimi i sotëm është që ju të fitoni dhe të kultivoni shpirtin olimpik, sportiv,ju nuk jeni vetëm ardhmëria jonë, ju jeni edhe e tashmja jonë, andaj nëse tani i merrni themelet e mira dhe të duhura, atëherë jeni sinqerisht edhe e ardhmja e ndritshme e Kosovës”, tha nënkryetari Mujka.
Ndërsa drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, tha se duke parë qëllimin e festimit të Ditës Olimpike që është promovimi i pjesëmarrjes së të gjithë qytetarëve të Kosovës në sport, pavarësisht moshën, gjininë dhe aftësitë, ne si komunë me kënaqësinë më të madhe i jemi përgjigjur pozitivisht ftesës së Komitetit Olimpik të Kosovës, për të promovuar sa më shumë sportin tek fëmijët.
Në fund u ndanë edhe medale për garuesit e vegjël në dy kategori, për meshkuj dhe femra. Në kategorinë e meshkujve medale morën, Dardan Berisha, Ardit Maxhera dhe Mirsad Maloku. Ndërkaq, në kategorinë e femrave me medale u shpërblyen, Alina Haradini, Melisa Muharremi dhe Arbresha Deliu.
Ndryshe, vrapimi që u organizua nga Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me DKRS-në dhe Drejtorinë e Arsimit të komunës së Mitrovicës, u mbajt nga sheshi “Adem Jashari”, përgjatë sheshit “Mehë Uka” dhe deri tek sheshi “Isa Boletini.