Milani interesohet për Granit Xhakën
Milano, 9 janar - Skuadrat e interesuara për Granit Xhakën sa vijnë e shtohen.
Mediat italiane shkruajnë se Milani është skuadra e radhës që ia ka vënë syrin mesfushorit kosovar.
Web faqja milannews.it, e afërt me klubin Rossoner, shkruan se kampioni aktual i Italisë e kërkon me ngulm futbollistin e Baselit.
Kartoni i 19 vjeçarit sillet kah 7 milionë euro, ndërsa përfaqësuesi zviceran ka kontratë me kampionin zviceran deri në qershor të vitit 2015.
Përpos Milanit, së fundmi interesim për futbollistin prishtinas ka shfaqur edhe klubi gjerman Borussia Monchengladbach.
Për këtë kanë siguruar mediat britanike Daily Star e Daily Express. Më parë, Xhaka ishte bërë objektiv i gjigantit anglez Manchester United dhe i klubit gjerman Hamburg.
Xhaka mund të largohet qysh në janar nga Baseli, por mundësitë më reale janë që ai të lëvizë nga Zvicra në qershor.