Milan-Real mendojnë këmbimin Pato-Ramos
Madrid, 19 shkurt - Dëmtimet e shpeshta të Alexandre Pato-s dhe paaftësia e tij për tu përshtatur me lojën e Zlatan Ibrahimovic mund të bëjnë realitet një këmbim kokë më kokë me Sergio Ramos-in.
Sipas asaj që shkruan sot Corriere dello Sport, Pato do të gjente në Madrid një prej miqve të tij më të mirë, Kaka-në, ndërsa Mourinho do të kishte kështu sulmuesin e shumëdëshiruar, për tu kombinuar me Higuain-in.
Nga ana e tij, Milani do të mund të blindonte repartin e mbrojtjes, nëpërmjet Sergio Ramos-it, i cili ndiqet prej kohësh prej kuqezinjve.
Aftësia e spanjollit për të luajtur si në krahun e djathtë, ashtu edhe në qendër, e bën atë veçanërisht të vlefshëm në sytë e Adriano Galliani-t.
Nëse ndërrimi do të ndodhë, Milani mund të përfitojë edhe një paketë financiare prej 10-15 milion eurosh, për të ekuilibruar diferencën e çmimeve që ekziston midis dy futbollistëve (me Pato-n që vlen më shumë).
Paratë e fituara mund të përdoren më pas për tu investuar në merkato tek Balloteli, i cili do të plotësonte kështu repartin ofensiv të kuqezinjve.