Milan, Inter e Juve, në ndjekje të gjermanit Reus
Milano, 11 nëntor - Ndonëse Milani dhe Interi ndodhen në pozita krejtësisht të ndryshme për momentin në renditjen e kampionatit italian, dy skuadrat e mëdha të Milanos mund të përfshihet në një luftë të ashpër në tregun e futbollistëve.
Një e përditshme italiane, duke cituar burime brenda klubit kuqezi ditën e premte, siguronte se kanë nisur tratativat me klubin gjerman të Mynshengladbahut, për mesfushorin 22-vjeçar Reus.
I grumbulluar së fundmi në kombëtaren gjermane, Reus ka nisur të konsiderohet gjerësisht si një prej talenteve më premtues të futbollit botëror. Milani u paraqit me një ofertë për hua me të drejtë blerje në fund të sezonit, por pasi kjo u refuzua nga klubi i Bundesligës, Galliani do të paraqitet me një ofertë të re konkrete.
Megjithatë, në mënyrë që mesfushori të kalojë në klubin milanez, kampionët në fuqi në Itali duhet të mposhtin konkurrencën e Interit dhe Juventusit, skuadra që kanë nisur kontaktet me Mynshengladbahun për lojtarin. Dhe të treja skuadra italiane duhet të veprojnë me shpejtësi, pasi Manchester City është duke menduar të paraqesë një ofertë të majme prej 18 milion eurosh, shumë e paaritshme nga skuadrat italiane.
Ndërkohë, duke qëndruar tek merkato e Milanit, është pranë mbylljes pa nisur mirë edhe aventura e francezit Taiwo. Sipas Corriere dello Sport, klubi në pronësinë e Berlusconit i ka paraqitur Barcelonës një ofertë për Maxwell, ndërsa ish-marsejezi, duhet të largohet në drejtim të Premier Ligës.