Messi rishikon kontratën me Barcelonën
Barcelonë, 5 gusht - 12.2 milion euro pagë vjetore duket se nuk mjaftojnë për Lionel Mesin. Sipas asaj që raporton e përditshmja katalanase Sport, gazeta sportive më pranë klubit të Barcelonës, futbollisti kërkon të nisë bisedimet gjatë javës në vazhdim me klubin për të riparë pagën e tij.
Argjentinasi, i cili në dhjetor rinovoi me katalanasit deri në vitin 2018, i ka kërkuar takim presidentit Sandro Rosell.
Arsyeja është e thjeshtë, Mesi beson se nuk është ai lojtari më i paguar te blaugranat. Argjentinasi, i cili aktualisht vetëm pagë përfiton 12.2 milion euro në vit, duket i pakënaqur nga zërat që qarkullojnë se dikush tjetër fiton më shumë se ai në skuadër. Në këtë rast dyshimet bien mbi Neymar.
Problemi është se paga e brazilanit është deklaruar 7 milion euro dhe vështirë se Barcelona mund të ketë fshehur diçka në këtë rast.