Messi rikthehet në stërvitje
Barcelonë, 31 tetor - Kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi është rikthyer në stërvitje këtë të mërkurë, pas një dëmtimi në krah. Lajmi njoftohet nga vet klubi katalanas.
“Argjentinasi është rikthyer në stërvitje pas disa ditësh mungesë”, thuhet në faqen e internetit të Barçës.
Klubi publikoi edhe foto që tregojnë se 5 herë fituesi i “Topit të Artë” vraponte pa fashon në krahun e tij, të cilën e mbante gjatë daljeve të fundit publike në “Camp Nou”.
“Messi punoi së bashku me Gerard Pique dhe Jordi Albën, dy prej lojtarëve që ishin lënë pushim nga trajneri Ernesto Valverde. Dyshja mbrojtëse nuk ishte përfshirë në skuadër për udhëtimin drejt Leonit, ku Barcelona do të luajë me Cultural Leonesën për Kupën e Spanjës”, shton më tej komunikata e klubit.
Messi, 31 vjeç, dëmtoi krahun gjatë një rrëzimi në fitoren 4-2 në La Liga kundër Sevillas, më 20 tetor. Barça shpreson që Messi të kthehet për ndeshjen e kampionatit ndaj Betisit më 11 nëntor, ndërkohë që edhe pa shërbimet e “pleshtit”, katalanasit e Valverdes mposhtën 2-0 Interin në Champions dhe më pas shpartalluan 5-1 Realin e Madridit, në “El Clasico”-n e së dielës.