22 Dhjetor 2024

Messi dhe Murinjo, më të paguarit e futbollit

Paris, 25 mars - Lionel Messi nuk është vetëm futbollisti më i mirë i planetit sepse djersa e derdhur në fushë i është dëmshpërblyer deri në një, edhe në anën financiare.

Sipas “France Football”, sulmuesi argjentinas është futbollisti më i paguar në planet pasi ai vlen plot 33 milionë euro në vit. Lëvizjet magjike të tij kanë çmim mjaft të kripur për xhepat e sponsorëve dhe shoqërisë “katalonase”.

Vetëm 10 milionë është paga e tij mujore, 4 milionë premi vjetore dhe 19 milionë i siguron nga kontratat publicitare. Kjo shifër lë të ngrirë edhe super të paguarit Dejvid Beckamin dhe Kristiano Ronaldon. Anglezi fiton 30.5 milionë në vit, 500 mijë më shumë se ish sulmuesi i Junajtedit, tanimë futbollist i Realit, Kristiano Ronaldo.

I pari mes yjeve të sportit më popullor në botë qëndron sulmuesi i Barcelonës, i cili në sezonin 2009-’10 ka futur në xhep plot 33 milionë euro: 10 nëpërmjet rrogës, ndërsa 4 të tjera në formë shpërblimesh. Menjëherë pas tij renditet Devid Bekham, i cili ka zbritur nga froni, dhe tashmë përfiton 30.4 milionë euro, ndërsa në vendin e tretë pozicionohet Kristiano Ronaldo, që pavarësisht rrogës më të lartë (13 milionë euro), nëpërmjet shpërblimeve dhe sponsorëve arrin në kuotën 30 milionë euro.

Më pas vijnë Rikardo Kaka (Real Madrid) me 18.8 milionë euro, Tierri Henri (Barcelona) me 18, Ronaldinjo (Milan) 17.2, Karlos Tevez (Mançester Siti) 15.4, Zlatan Ibrahimoviç (Barcelona) 14.5, Frenk Lampard (Çelsi) 14.2 dhe Samuel Eto’o (Inter) 13.8.

Ndërkohë, nga trajnerët primatin e më të paguarit e mban Zhoze Murinjo, që në sezonin e kaluar ka përfituar 13 milionë euro. “Speciali”, i vetmi trajner i Serisë A në “Top 20”, renditet përpara Roberto Mançini, që te Mançester Siti përfiton 12 milionë euro. Në vendin e tretë ndodhet Luis Felipe Skolari, të cilin uzbekët e Buniodkorit e paguajnë 9.5 milionë euro. Vetëm vendi i pestë për trajnerin e Anglisë, Fabio Kapelo (8.4 mln euro), i teti renditet Pep Guardiola (6.5 mln) dhe i 11-ti Karlo Ançeloti (5.7).

Duke u kthyer te Leo Mesi, 22-vjeçari cilësohet diçka më pak se një Zot i futbollit, por duket se ia ka kaluar Diego Armando Maradonës. Entuziazmi për sulmuesin është rritur pas tre golave të realizuar gjatë fundjavës (të cilëve u shtohet edhe penalltia e fituar dhe e transformuar në gol nga Ibrahimoviç), në fitoren 4-2 që Barça arriti përballë Saragozës.

Shtatë ditët që kaluan ishin të jashtëzakonshme për Mesin: 3 gola përballë Valencias, dy gola kundër Shtutgartit në Champions dhe një tjetër “hat trick”, i treti në këtë sezon, ndaj Saragozës. Në total, argjentinasi realizoi 8 gola në harkun e një jave dhe 11 rrjeta në pesë ndeshjet e fundit. Edhe më të “frikshme” statistikat e përgjithshme, me 34 gola në 38 takime zyrtare: 25 në La Liga (plus 6 asist), 4 në Champions, 1 në Kupën e Mbretit, 2 në Superkupën spanjolle dhe 2 në Botërorin për klube.

Ai shndërrohet gjithmonë në protagonist, hyn në fushën e lojës dhe bën thjesht detyrën, duke udhëhequr Barçën drejt fitoreve. “Nuk kam më mbiemra për të vlerësuar klasin e tij, të tjerët gjejini ju”, pohon trajneri Guardiola, ndërsa mediat spanjolle “çmenden” duke përdorur tituj nga më të ndryshmit: “Zoti i futbollit”, “Mesi vjen nga një botë tjetër”, e kështu me radhë.

E përditshmja argjentinase, “Olé” shkruante: “Pashë Mesin”, duke përshtatur shprehjen e tifozëve të Napolit, “Pashë Maradonën”. “Është më i fortë se Krujf dhe Maradona, pra më i madhi i të gjitha kohërave”, pranon Joan Laporta, presidenti i Barçës. Ndërsa vetë lojtari shprehet me modesti: “Për t’u bërë legjendë duhet të fitosh Kupën e Botës. Jam vetëm 22 vjeç dhe duhet të qëndroj me këmbë në tokë”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)