Messi barazon Maradonën
Barcelonë, 7 maj - Fitues i katër "Topave të Artë", si anjë tjetër më parë në histori, Lionel Messi barazoi me golat e shënuar në fundjavë ndaj Real Betis një rekord të pabesueshëm, atë të të gjithë golave të shënuar në karrierë nga legjenda e futbollit argjentinas dhe botëror, Diego Armando Maradona.
Dy herë kampioni i botës me Argjentinën, Pibe de Oro realizoi në total 345 gola në ndeshjet zyrtare gjatë karrierës së tij, 311 në skuadrat ku luajti, Argentinos, Boca Juniors, Barcelona, Napoli, Sevilla dhe Boca Juniors, e pjesën tjetër tek kombëtarja.
Nga ana e tij, "Pleshti" gjithashtu ka arritur në këtë kuotë, me 313 gola zyrtarë për Barcelonën dhe 32 të tjerë për përfaqësuesen.
Ajo që e bën edhe më të pabesueshme arritjen e Messit është fakti se këto shifra ai i ka arritur në nëntë vjet karrierë, që prej debutimit të vitit 2004.
Nga ana e tij, ndonëse me disa ndërprerje të detyruara për shkak dëmtimesh, dopingu e arsye të tjera, karriera e Maradonës zgjati shumë më gjatë, plot 22 vjet, nga debutimi i vitit 1976 e deri në tërheqjen përfundimtare në 1998-n.