Mesi: Nuk do të jem kurrë në nivelet e Maradonës
Buenes Aires, 28 mars - Ylli i Argjentinës dhe Barcelonës, Lionel Mesi ka deklaruar se nuk do të arrijë kurrë të ngrihet në nivelin e idhullit të tij, Diego Armando Maradona.
22-vjeçari shtoi gjithashtu se nuk dëshiron që ta krahasojnë me trajnerin e Kombëtares. Paraqitjet e fundit të sulmuesit me katalanët, i kanë bërë të pashmangshme krahasimet ndërmjet dy numrave 10 dhe kanë rihapur debatin përse Mesi nuk gëzon të njëjtin trajtim në përfaqësuesen albiceleste.
Edhe pasi të kenë kaluar një milion vjet, unë nuk do mund të jem afër Maradonës. Për të qenë i sinqertë nuk dëshiroj të krahasohem me të. Ai është futbollisti më i madh i të gjitha kohërave, deklaroi lojtari për AS.
Nuk dua ta krahasoj veten me Maradonën, dëshiroj të shkruaj historinë time, për diçka që do kem arritur në karrierë. Mesi beson se seleksion e nis Botërorin 2010 në pozita të mira.
Është diçka krejtësisht e ndryshme të luash për Barcelonën dhe për Kombëtaren. Nuk dua të them se Argjentina nuk ka lojtarë të mirë, përkundrazi ata janë më të mirët në botë, por koha në dispozicion për të punuar së bashku është e kufizuar. Ëndërrojmë të ngremë kupën dhe fakti që nuk cilësohemi si favoritë na lehtëson nga presioni, tha ai.