Mekses dënohet falë provës televizive
Milano, 28 shkurt - Gjykatësi sportiv në Itali ka vendosur që të pezullojë për tre javë mbrojtësin e Milanit, Philippe Mexes për grushtin që i ka dhënë Marko Borrielos, gjatë takimit Milan-Juve të Serisë A.
Pas shqyrtimit të imazheve nga kamera të ndryshme në stadium, është parë qartë se goditja e Mekses ka qenë me dashje dhe për rrjedhojë, ai do të mungojë në 3 takimet e ardhshme të kuqezinjve.
Ndërkohë, gjykatësi sportiv ka vendosur që të mos japë asnjë dënim për Muntarin e Pirlon, dy futbollistë të tjerë që akuzoheshin për gjeste antisportive në të njëjtën ndeshje.
Sipas tij, ndërhyrjet e lojtarëve kanë qenë pjesë e lojës dhe nuk meritojnë dënim nëpërmjet provës televizive.
Një ndëshkim është dhënë edhe për Adriano Galianin, i cili është paralajmëruar për pezullim në rast përsëritje.
Administratori i përgjithshëm i Milan është paralajmëruar pasi në pushimin e ndeshjes ka fyer disa anëtarë të klubit kundërshtar me fjalë të pahijshme dhe provokuese, shkelje të cilat janë konstatuar në vend nga zyrtarët e Federatës Italiane.