Me sporte luftarake po sjellim suksese të mëdha
Shkruar nga Agim Tahiraj
Gjithmonë jemi dalluar me sporte luftarake dhe kemi arritur suksese të jashtëzakonshme.
Me sporte luftarake po sjellim suksese të mëdha, duke u nisur nga sporti i xhudos, që sot është krenari kombëtare, për shkak se e kemi Majlinda Kelmendin kampione olimpike, kurse në ditët e fundit janë shtuar suksese të tjera dhe që po e bëjmë kombin shqiptar krenar.
Kick-boksieri Dardan Morina me suksesin e tij në WKU, ku e mbrojti titullin gjithsesi se na gëzoi të gjithëve.
Na vërtetoi edhe një herë se gjithmonë kemi pasur talent dhe suksese në sporte luftarake. Fitorja e Dardanit me nokaut na befasoi të gjithë, sepse as rivali se kishte pritur këtë.
Shihet se kemi talent të mëdhenj, kemi një brumë që na lakmojnë të gjithë posaçërisht duhet edhe punë e punë që të jemi në nivel edhe më të lartë.
Dardani vërtet është një tip luftarak, shihet puna e tij, ka natyrë pune, me punë i ka fituar të gjitha, sigurisht kjo rezultoi që ta mbrojë edhe titullin.
Ka qenë një fitore e merituar, që nuk do as diskutim, sepse nokauti është treguesi më i mirë. Më pëlqen shumë se kick-boksieri Dardani është i vyeshëm, trim dhe ka edhe lëvizje të hatashme, që janë edhe arma më e fortë e tij.
Me dy duart e tija është shumë i suksesshëm, fitoren e vendosi me këmbë kur e nokautoi kundërshtarin.
Është kick-boksier i kompletuar, sepse ka reflekse të hatashme sidomos në meçin e fundit na ka befasuar të gjithëve. Po ashtu edhe Ferit Keta arriti sukses të madh, shpallet kampion Evrope në kick-box.
Është sukses i mirë, që duhet përgëzuar dhe që na bënë të ndihem mirë të gjithëve, mundi e djersa e tij u shpagua, kjo është kryesorja.
Suksesi më i fundit në sportet luftarake, tregoi se kemi traditë. Besoj e shpresoj se në ardhmen do të arrijmë edhe më shumë.
Aty është sporti ynë, andaj si komb dhe si shtet, duhet që të investojmë më shumë në këto sporte luftarake dhe normalisht të jemi edhe më të suksesshëm.
Prandaj, kemi edhe një gjeneratë të shkëlqyeshme dhe që do të na gëzojë edhe më shumë në të ardhmen.
Prandaj, si në boks, kick-box, xhudo, karate, mundje etj. janë sporte që kanë një brumë të mirë dhe me pak investime e punë do të arrijmë shumë lartë në vitet e ardhshme.
Xhudoja e ka dëshmuar veten deri me tash, por edhe sportet tjera janë në rrugën e duhur.
/Autori është trajner i klubit të boksit e kick-box Rigoro nga Prishtina dhe gjyqtar i boksit/