Maurinho kërkon të shkëmbejë Balotelin me Stiven Gerard
Londër, 4 prill - Ideja e fundit e Joze Maurinho është shkëmbimi i Balotelit me Gerard, i cili kërkon një emër të madh për mesfushën e Interit për sezonin e ardhshëm.
Sipas tabloidit Daily Mail, vlerësimi me shifrën 31.5 milionë euro për mesfushorin anglez nuk pëlqehet nga drejtuesit e Liverpulit, që pavarësisht moshës së lojtarit (30 vjeç), kanë ndërmend ta shesin vetëm nëse paraqitet një ofertë që nuk mund të refuzohet.
Megjithatë, duke lënë mënjanë aspektin ekonomik, negociatat duken mjaft të komplikuara, për të mos thënë thuajse të pamundura për tu realizuar. Gerard është një idhull në Anfilld Roud dhe asnjëherë nuk e ka fshehur dëshirën që ta mbyllë karrierën me Reds.
Këtyre fakteve u shtohet edhe e ardhmja e pasigurt e Rafa Benitez, i cili mund të largohet nga Premiership në fund të sezonit, por edhe dyshimet rreth Maurinhos, i cili nuk është i sigurt në se do ta vazhdojë punën në pankinën zikaltër. Gjithashtu duhet vlerësuar edhe dëshira e Balotelit, që në rast të largimit të trajnerit portugez nga Interi, mund të këmbëngulë ta vazhdojë aventurën në San Siro.
Merkato është vetëm një prej temave ku Maurinho duket i angazhuar. Si gjithmonë, trajneri vazhdon të hapë polemika. Debati më i fundit ka lindur për disa fraza të thëna në mbrëmjen e së enjtes, për tifozët e Inter Channel, që mediat i kanë interpretuar si akuza.
Nuk dëshiroj të flas për kampionatin. Nuk është një garë ndërmjet tri skuadrave: është lufta e një skuadre të vetme kundër shumë gjërave të tjera, ishin deklaratat e publikuara në të përditshmet italiane.
Në këto momente, nuk jam një njeri i lumtur në futbollin italian, por jam i lumtur tek Interi. Për mua, fakti që drejtoj këtë skuadër, është një arsye për të qenë krenar. Ky klub më pëlqen, ka një kulturë që më pëlqen, me tifozë të cilët kanë përjetuar vite të vështira, ndërsa më pas e kuptuan se cila ishte arsyeja që kjo të ndodhte. Në të ardhmen do të jem i kënaqur që do të them se kam drejtuar skuadrën e Interit.
Tekniku portugez ka vendosur të vazhdojë heshtjen për shtyp edhe përpara sfidës së sotme me Bolonjën, por është paraqitur sërish në mikrofonat e kanalit zyrtar të klubit zikaltër, për të theksuar se dikush i ndryshon shprehjet e tij me qëllim.
Kush e ka transformuar shprehjen time shumë gjëra të tjera
? Unë? Jo. Me sa duket nuk kam të drejtë të flas as me tifozët e Interit, pasi dikush duhet të fusë hundët patjetër?
Faleminderit
, ishte deklarata e shkurtër e Maurinhos. Më tej, ai ka vazhduar me polemikat, këtë radhë nga faqja zyrtare e klubit në internet. Nesër jemi vetëm ne: të lodhur, të dëmtuar, të skualifikuar, shkruan Maurinho. Ne, që së bashku me juve u drejtohej ai tifozëve duhet të fitojmë përballë Bolonjës një ndeshje shumë të vështirë. Dëshiroj të falënderoj me sinqeritet të gjithë tifozët tanë për mbështetjen dhe pasionin që na transmetojnë.