Marotta premton blerje të mëdha në qershor
Torino, 23 dhjetor - Kohë bilancesh në shtëpinë e Juventusit në prag të Krishtlindjeve. Drejtori i përgjithshëm bardhezi Giuseppe Marotta, është i kënaqur nga puna e bërë deri tani dhe shpreson që 2011-ta, të jetë viti i hapit cilësor përfundimtar për Zonjën e vjetër pas shumë vitesh shterpësi:
Sigurisht objektivi kryesor është ai për tu rikthyer menjëherë në elitën e futbollit ndërkombëtar, - shpjegon Marotta. - Por këtu detyrimi për të fituar nuk mungon aspak. Dhe përveç titullit është edhe Kupa e Italisë, një veprimtari shumë e rëndësishme për ne. Në janar do të plotësojmë organikën. Në fillim duhet të vlerësojmë gjendjen e të gjithë të dëmtuarve.
Pastaj do të shohim çfarë do të ndodhë. Duhet pasur shumë respekt për djemtë që deri tani kanë dhënë gjithçka, për një grup që po bën gjëra të rëndësishme. Do të ndërhyjmë në merkato vetëm për diçka që do të na lejojë të përmirësohemi në aspektin cilësor, përndryshe nuk ka kuptim të merremi me një situatë që i ka që tani ekuilibrat shumë të fortë.
Dhe gjithsesi është e drejtë tu thuhet tifozëve që në këtë fazë të merkatos, nuk janë parashikuar investime të mëdha, të cilat do ti bëjmë në qershor. Po, merkato do të jetë një merkato e madhe për Juventusin.
Në aspektin teknik, kemi shkuar përtej çdo parashikimi. Nuk e prisja që do të ishim kaq përpara në ndërtimin e skuadrës.
Ish-drejtuesi i Sampdorias ka dashur të japë edhe çmimet e tij Oscar në këtë fillimsezon: Mungesa e blerjeve të Burdisos dhe Borrielos? Pak të zemëruar jemi. Ishte qershia mbi tortë e një merkatoje që e gjykoj gjithsesi pozitive. Sigurisht, epilogu i atyre bisedimeve, ka qenë i paparashikueshëm.
Mbetëm të befasuar për një ndryshim mendjeje kaq të shpejtë të Romës në nivelin e strategjive ekonomike, - vazhdoi Marota. - Akuilani? Nuk ka asnjë dyshim mbi cilësitë e këtij djaloshi. Duhej dhe duhet të gjente vazhdimësi. Nga ana jonë janë të gjitha premisat për të arritur te finalizimi i këtij operacioni, që pikërisht varet vetëm nga Juvja. Del Piero? Të presim ndonjë muaj dhe të shohim si është Aleksi. Respekti për kampionin dhe njeriun është maksimal. Por ne kemi detyrimin të punojmë për interesin dhe të mirën e Juventusit. Besojmë që grupi vjen përpara çdo individi. Krasiç dhe grupi kanë qenë deri tani pikat tona të forta. Kualjarela?
Është një surprizë për të gjithë. Por unë isha i sigurt që do të luante dhe shënonte në këtë mënyrë. E njoh që në kohët e Sampit. Mjafton të luajë në rolin e tij natyral dhe ai të siguron gjithnjë shumë gola. E ka golin në gjak, më kujton Anastasin.