Maradona lëshon sfidën e Botërorit
Buenos Aires, 11 maj - I ftuar në një emision televiziv në Argjentinë, trajneri i kombëtares Çeleste ka shpalosur synimet e skuadrës që drejton në Kupën e Botës së Afrikës së Jugut.
Kemi bazën e nevojshme dhe dëshirën për të punuar, pohoi Maradona, i bindur për mundësitë e skuadrës pas fitores në miqësoren me Gjermaninë më 3 mars.
Ajo ndeshje ka ndryshuar shumë gjëra. Prej saj të gjithë e kuptuan se kush jemi dhe se nuk duhet të na nënvlerësojnë, theksoi ai, duke shtuar se pret që në Afrikë Leo Mesi të tregojë vlerat e tij edhe me kombëtaren.
Duke vijuar më tej, ish-Djaloshi i Artë u ndal edhe tek e kaluara e tij mes suksesit si futbollist dhe problemeve me drogën. Në vendimin për tu ulur në krye të stolit të kombëtares argjentinase, Maradona mori parasysh edhe momentet e bukura e të këqija të karrierës së tij futbollistike.
Do të ishte shumë bukur të qëndroja ulur mbi lavdinë time, të zgjohesha në mëngjes dhe të mendoja fitoren 2-1 ndaj Anglisë, pa menduar për makthin e humbjes 6-1 kundër Bolivisë. Por jo, kjo nuk është për mua, nuk do të kisha qenë unë. Sapo mbusha gjashtë vjet nga hera e fundit që kam marrë drogë. Për këtë i detyrohem dy vajzave të mia, përfundoi ai.