Maradona jep dorëheqje si trajner i klubit argjentinas Gimnasia
Buenes Aires, 22 nëntor - Diego Armando Maradona ka dhënë dorëheqjen si trajner i klubit argjentinas të kategorisë së parë "Gimnasia" pas vetëm dy muajsh në krye të tij, ndërsa ekipi është drejt rënies prej kategorisë.
"Gimnasia" ndodhet në vendin e 22-të të tabelës. Gjatë tetë ndeshjeve me trajner legjendën e futbollit botëror, ekipi arriti tre fitore dhe pesë humbje.
Largimi i Maradonës është tashmë një ngjarje e përsëritur në karrierën e tij si trajner. Nga gjashtë ekipet që ai ka drejtuar, vetëm në një rast puna e tij zgjati më shumë se një vit.
Mediet argjentinase thonë se Maradona po kalon një periudhë të vështirë personale dhe ka po ashtu edhe probleme shëndetësore.