Manchester Unitedit kampion i Anglisë
Londër, 23 prill - Manchester Unitedi është shpallur edhe matematikisht kampion i Anglisë për sezonin 2012/2013.
Djajtë e Kuq e kanë mposhtur Aston Villan me rezultat 3-0 për të rrëmbyer pikët e nevojshme për tu kurorëzuar me titullin e kampionit të Ligës Premier.
Nuk kaloi shumë kohë pasi arbitri dha shenjë për fillimin e ndeshjes dhe Robin van Persie gëzoi tifozët në Old Trafford (2). Ryan Giggs ishte asistues.
Wayne Rooney dërgoi një top të gjatë drejt zonës, të cilin e priti holandezi për ta dyfishuar epërsinë (13).
RVP kompletoi het-trikun e tij që në pjesën e parë (33), ndërsa për këtë gol ishte meritor Ryan Giggs, i cili nuk u tregua egoist, por asistoi te bashkëlojtari i tij.
Në gjysmën e dytë, mysafirët luajtën mirë, mirëpo nuk arritën që ta ndëshkonin De Gean.
Pas kësaj fitoreje, Manchester Unitedi ka 16 pikë diferencë nga përcjellësi i parë, Manchester City dhe shpallet kampion katër xhiro pa përfunduar sezoni.
Ky është titulli i 20-të i Anglisë për Djajtë e Kuq dhe mbajnë rekordin me më shumë tituj të fituar, dy më shumë se Liverpooli dhe shtatë më shumë se Arsenali.