Maldini sulmon Gourcuff
Milano, 27 nëntor - Paolo Maldini, ish-kapiteni i Milanit, sqaron se si është e mundur që një lojtar i talentuar si Yoann Gourcuff nuk mundi të shkëlqejë tek ekipi kuqezi.
Tek Milani, Gourcuff gaboi në gjithçka. Për aq sa kam parë, pjesën më të madhe të gabimeve e ka bërë ai. Problemi i tij ishte sjellja, nuk u tregua i zgjuar sa duhet. Është për të ardhur keq sepse asnjeri nuk mund të dyshojë për cilësitë teknike të francezit, u shpreh Maldini, i cili ka qenë shok ekipi me francezin.
Në një intervistë për LEquipe, Maldini kritikon ashpër ish-shokun e skuadrës: Nuk kishte dëshirë të vihej në dispozicion të grupit dhe kjo gjë duhet bërë në një sport kolektiv siç është futbolli. Italisht nuk filloi të mësonte menjëherë, me anën taktike nuk punonte, nuk ishte korrekt me oraret e stërvitjes. Ndodhën shumë gjëra që nuk mund të tregohen, por ai e di shumë mirë se çfarë ka bërë.
Maldini shton më tej dozë e kritikave: Kur luante nuk jepte maksimumin. Tek Milan, lojtarë me më pak talent kanë fituar respektin e shokëve vetëm për faktin që impenjoheshin maksimalisht. Ai nuk e ka bërë këtë gjë dhe e di. Nuk mund të sillesh kështu në një klub si Milani.
Sinqerisht, pasi e pamë sjelljen e tij nuk u morëm më me të sepse nuk ia vlente, përfundon Maldini.