Majlinda Kelmendit nuk i lejohet ta përfaqësojë Kosovën në Londra 2012
Prishtinë, 24 maj Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, të enjten, në esencë bëri një shkelje të të drejtave të njeriut, duke mos e lejuar xhudisten nga Kosova, Majlinda Kelmendi, që të përfaqësojë shtetin e vet në Lojërat Olimpike Londra 2012.
Madje asaj nuk iu lejua as paraqitja si sportiste e pavarur, që ka qenë një dëshirë e dytë dhe kërkesë zyrtare e saj, nëse përfaqësimi si shtet nuk do të ishte i mundshëm.
Komitetit Olimpik Ndërkombëtar vendosi që forma e vetme e paraqitjes së Majlinda Kelmendit në Lojërat Olimpike Londra 2012 të jetë si sportiste nga Shqipëria.
Ministri i Sportit, Memli Krasniqi, ka vlerësuar se me këtë akt, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar po ua humb edhe më shumë shpresat dhjetëra mijëra sportistëve, talentëve nga Kosova. Është jashtëzakonisht johumane ndaj një sportisteje si Majlinda Kelmendi, që përkundër sfidave dhe intrigave politike ka arritur suksese kulminante, duke siguruar edhe normën olimpike, të mos i mundësohet pjesëmarrja në Lojërat Olimpike.
Krasniqi tha se Vendimi i KON-it është po ashtu një thyerje e parimeve olimpike dhe mbi të gjitha një konfirmim i padrejtësisë shumëvjeçare që po i bëhet Kosovës në sport. Është shumë dëshpëruese se si vlerat sportive, respekti dhe pasioni për gara, vazhdojnë të ndikohen nga politika në rastin e Kosovës. Është një mesazh i keq që i jepet rreth dy milionë qytetarëve, gjithë atyre të rinjve dhe prindërve.
Përkundër kësaj padrejtësie, këtij veprimi josportiv dhe jonjerëzor ne nuk do të ndalim përpjekjet tona që Majlinda të jetë në Lojërat Olimpike ashtu siç dëshiron ajo, ashtu siç dëshiron ajo, siç dëshiron i gjithë komuniteti sportiv dhe të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne nuk do të kërkojmë asgjë më shumë, vetëm trajtim të barabartë njerëzor e sportiv, thuhet ndër të tjera në një deklaratë për opinion të ministrit Krasniqi.