Majlinda Kelmendi shembull i suksesit

Prishtinë, 23 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim kryetarin e Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, përzgjedhësin e kombëtares, Driton Kuka dhe kampionen olimpike të xhudos, Majlinda Kelmendi.
Kryeministri Haradinaj tha se është për admirim puna e ekipit, e cila, jo çdoherë në rrethana të lehta, i ka sjellë Kosovës medaljen e artë olimpike, që në pjesëmarrjen e parë. Njëkohësisht, tha se, kjo fitore, përpos për Majlindën, është një e arritur shumë e madhe edhe për Kosovën.
Kryeministri i falënderoi për punën e madhe që kanë bërë, duke shprehur gatishmërinë që në perspektivë të vendoset një marrëdhënie më e mirë bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë dhe Federatës së Xhudos së Kosovës, që mundëson vazhdimin e punës tuaj pa preokupime.
“Ju e keni nxjerrë Kosovën ashtu siç kishim pasur dëshirë të jemi në të gjitha aspektet tjera”, tha kryeministri.
Kryetari i Federatës, Agron Kuka, e njoftoi Kryeministrin Haradinaj për aktivitetit aktuale të sportistëve dhe kërkoi mbështetjen institucionale rreth sfidave me të cilat përballen.
Ai kërkoi që të bëhet kategorizimi i sportistëve dhe trajnerëve, të zbatohet ligji për sponsorizim si dhe të vazhdohet memorandumi i MKRS dhe Federatës së Xhudos të Kosovës për Majlindën.
Poashtu, Toni Kuka u interesua për pasaporta diplomatike për sportistët kulmorë si dhe për sigurimet shëndetësore për sportet luftarake.
“Majlinda, si kampione olimpike, është paguar sipas Memorandumit dhe prej 1 janar 2017, ka mbetur pa status.”
Kryeministri Haradinaj i siguroi ata se Ligji për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të rregullohet deri në fund të këtij viti dhe se memorandumi do të zbatohet në retro-aktiv.