Los Angelos, Parisi dhe Budapesti kandidate për Olimpiadën Verore 2024
Paris, 6 shkurt - Los Angelos, Parisi dhe Budapesti i kanë paraqitur Komitetit Ndërkombëtar Olimpik dokumentet e fundit të aplikimit për organizimin e Olimpiadës Verore 2024.
Përmbajtja e dokumenteve përfshin përvojën në organizimin e veprimtarive të ndryshme sportive dhe planet për përdorimin e objekteve sportive pas lojërave.
KON-i deklaroi se këto tre qytete kanë hyrë zyrtarisht në fazën përfundimtare të procesit të përzgjedhjes.
Inspektimi dhe vlerësimi i qyteteve kandidate do të zhvillohet në prill dhe maj. Fituesi do të zgjidhet në votim nga Asambleja e Përgjithshme e KON-it, që do të mblidhet në shtator në Limë të Perusë.