Liverpooli kërkon që Anelka të përfshihet në ofertë
Liverpool, 30 janar - Liverpooli ka kërkuar që Nicolas Anelka të përfshihet në ofertën e Chelseat për të transferuar sulmuesin Fernando Torres.
Edhe pse qëndrimi publik i Liverpoolit është se Torres nuk është në shitje, duket se drejtuesit e Redsave janë të gatshëm të negociojnë për shitjen e sulmuesit spanjoll.
Të premten mbrëma, Torres kishte kërkuar nga klubi që të lejonte largimin e tij, mirëpo kjo ishte refuzuar nga Të Kuqtë, porse ky akt nuk i ndaloi Blutë që të bënin edhe ofertën e dytë prej 40 milionë funtesh plus shërbimet e Daniel Sturridge që në tërësi plotëson kërkesën e klubit nga Anfield.
Mirëpo, Liverpooli ka kërkuar që në ofertë të përfshihet francezi Anelka dhe jo Sturridge, për të përmbushur kërkesën e tyre prej 50 milionë funtesh.
Redsat e konsiderojnë Anelkan si golashënues të dëshmuar, i cili mund të jetë partner i denjë në sulm me Luis Suarezin e porsatransferuar nga Ajaxi.