Liverpool - City, pritet shikueshmëri rekord në një miliard shtëpi
Manchester, 6 tetor - Ndeshja e shumëpritur mes Liverpoolit dhe Manchester Cityt, që do të zhvillohet këtë të dielë, do të jetë në dispozicion për t’u parë në plot një miliard shtëpi anembanë botës, sipas një statistike të publikuar nga vet Premier League.
Kjo ndeshje është më e forta e kampionatit anglez deri në këtë fazë të edicionit të sivjetshëm, me kampionët në fuqi të Cityt që gjenden në krye të renditjes, por vetëm falë golavarazhit kalon “të kuqtë” e Liverpoolit.
Të dy klubet kanë një shtrirje globale dhe burimet kanë thënë se ndeshja është programuar të transmetohet në 179, nga 193 vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara.
Biletat për ndeshjen në stadiumin “Anfield Road” janë shitur që të gjitha, por raportohet se disa prej tyre janë rishitur në treg të zi duke nisur nga 300 paund më e pakta, e thënë ndryshe nga 5-fishi i çmimit real.
Transferta e fundit e Cityt në “Anfield” ishte në prill të këtij viti, në takimin e parë të çerekfinaleve të Championsit. Por, ajo ndeshje u la disi në hije nga ngjarjet që ndodhën përpara nisjes së saj. Autobusi i miqve u godit me sende të forta gjatë rrugës për në stadium, duke u bërë i papërdorshëm për udhëtimin e kthimit drejt Manchesterit në fund të takimit.