Lionel Messi vlen më shumë se Ronaldo

Barcelonë, 6 prill - Ylli argjentinas i Barcelonës dhe futbollisti më i mirë në botë, Lionel Messi, është lojtari më i shtrenjtë, bazuar në të dhënat e sajtit të specializuar për transferime Transfermarkt.de.
Golashënuesi më i mirë i Barcelonës, Lionel Messi, sipas kësaj faqeje, peshon 80 milionë euro, ndërsa menjëherë pas tij vjen portugezi i Real Madridit, Kristiano Ronaldo.
Futbollisti i Realit ndonëse verën e kaluar tek mbretërit kaloi për një shumë rekord prej 94 milionë eurosh, ai sipas "transfermarkt.de" vlen "vetëm" 75 milionë euro.
I treti në listën e futbollistëve më të shtrenjtë është mesfushori spanjoll i Barcelonës, Çavi Hernandez me 60 milionë euro, po aq sa vlen edhe mesfushori tjetër i Barcelonës, Andres Iniesta, dhe mesfushori brazilian i Realit, Leite Rikardo Kaka.
Përfaqësuesja e Spanjës kryeson në listën e më të shtrenjtave. Nga dhjetë futbollistët më të shtrenjtë katër janë spanjollë, ndërsa edhe La Liga prin dukshëm në renditje. Elita e futbollit spanjoll ka pesë futbollistët më të shtrenjtë në botë.
Ndërkohë sa u përket skuadrave, Barcelona është skuadra më e shtrenjtë në botë me vlerë prej 514 milionë eurosh.
Dhjetë futbollistët më të shtrenjtë:
1. Lionel Messi (Barcelona) 80 mil. euro
2. Kristiano Ronaldo (R. Madrid) 75 milionë
3. Çavi Hernandez (Barcelona) 60 milionë
-. Andres Iniesta (Barcelona) 60 milionë
-. Kaka (R. Madrid) 60 milionë
6. Cesk Fabregas (Arsenal) 53 milionë
-. Uejn Runi (Man. Utd) 53 milionë
8. Fernando Tores (Liverpul) 50 milionë
-. Stiven Zherard (Liverpul) 50 milionë
-. Frank Riberi (Bajern M.) 50 milionë