Lionel Mesi vrapon drejt rekordit
Barcelonë, 17 nëntor - Lionel Mesi, së bashku me Maskeranon, është nisur i lumtur drejt Dohas, ku të mërkurën do të luhet miqësorja ndërmjet Argjentinës dhe Brazilit. Pleshti vazhdon të thyejë rekorde dhe e arrin këtë më lehtë nga sa mund të mendohet.
Me dygolëshin e realizuar të shtunën në sfidën që Barcelona fitoi 3-1 me Vijarealin, sulmuesi regjistroi ndeshjen e 7-të radhazi që gjen rrugën e rrjetës (në total ka shënuar 11 gola): një ecuri që nuk i kishte ndodhur asnjëherë më parë.
Për 23-vjeçarin, viti 2010 ka qenë mjaft i çuditshëm dhe me dy fytyra. Gëzime me fanellën blaugrana e trishtim me Argjentinën.
Mesi ka realizuar 50 gola në 46 ndeshje me Barçën dhe 1 (për çudi pikërisht në miqësoren kundër Spanjës) në 9 takime me Kombëtaren.
Shifra që tregojnë gjithçka ndërmjet dy realiteteve të sulmuesit, por që mbi të gjitha tregojnë një rritje të jashtëzakonshme.
Në vitin diellor 2009 ai realizoi 41 gola (38 me Barçën e 3 me Argjentinën), ndërsa e mbylli sezonin 2009-10 me 46 gola në total, 34 prej të cilëve në La Liga.
Tashmë, vetëm pas 16 ndeshjeve të para në këtë sezon, Mesi e sheh veten në kuotën e 19 golave.
Te Barcelona të gjithë shpresojnë se El Mesia do të arrijë të thyejë rekordin historik të Zarras dhe Hugo Sançez, me 38 gola në një edicion të kampionatit.
Për momentin, Leo ndodhet mbrapa Kristiano Ronaldos (10 rrjeta përballë 11 të portugezit), por ecuria e tij lë vend për optimizëm.