Liga e Kampioneve: Milani dhe Reali e nisin me fitore
Madrid, 16 shtator - U luajt nata e dytë e turit të parë të ndeshjeve në grupe të Ligës së Kampioneve, për edicionin e ri, 2010-2011. Plot 8 ndeshje të së mërkurës, që kanë dhuruar bollësh golash, mes të cilëve një rezultat tenistik të Arsenalit të Arsen Vengerit, 6-0, ndaj Bragës së Portugalisë.
Ajo që vlen të theksohet është se dy skuadra gjigande europiane, Milani dhe Real Madridi, e kanë nisur me fitore këtë fazë të Champions-it, duke treguar pretendimet e tyre reale dhe tejet ambicioze në këtë edicion.
Kuqezinjtë e Milanit, ashtu sikurse merenguesit madrilenë, kanë shënuar fitore me rezultat të njëjtë, 2-0. Po me këtë rezultat ka fituar edhe Bajerni i Mynihut, ndaj Romës së Ranierit.
Dygolëshi i parë i Ibrahimovicit me fanellën e Milanit, që e nis furishëm Ligën e Kampioneve, një trofe, të cilin nuk e ka fituar suedezi.
Zlatan Ibrahimovic ishte lojtari kryesor i Milanit, në debutimin e tij në Ligën e Kampionëve me fanellën kuqezi, duke shënuar dy gola (66 dhe 69), ndërsa në të dy golat pati dorë Ronaldinho, me asistet e tij.
Nga ana tjetër, përkundër dominimit dhe rasteve, Reali i Madridit nuk arriti të shënojë më shumë se dy gola në takimin e zhvilluar kundër Ajaxit në Santiago Bernabeu, madje njëri prej tyre qe autogol i V.Anita.
Goli i parë erdhi pas një krosimi nga këndi të Xabi Alonsos, ku u gjend më së miri para portës së skuadrës hiolandeze Gonzalo Higuain (31), për tu ndihmuar nga devijimi i topit prej V.Anita, dhe për ta kaluar Realin në epërsi.
Higuain ishte edhe autori i golit të dytë (73), ndërsa këtë radhë asistin e dha Mesut Ozil. Pas këtyre fitoreve, kuqezinjtë dhe Los Blancos kryesojnë Grupin G me nga tri pikë, derisa kundërshtarët e tyre do të kërkojnë pikë në takimet e radhës.
Fitore bindëse, 4-1, kanë marrë edhe blutë e Londrës, të drejtuar nga italiani Karlo Anceloti. Ata kanë dominuar në Sllovaki, ndaj skuadrës së Zilina. Celsi ka shënuar fitore të lehtë 4-1. Michael Essien e filloi serinë e golave (13), për tu ndjekur me dy gola të njëpasnjëshëm të Nicolas Anelkas (24 dhe 28), i cili vendosi rezultatin përfundimtar të pjesës së parë. Me të filluar pjesa e dytë (48), Daniel Sturridge shënoi edhe golin e katërt për blutë, ndërsa golin e nderit për vendasit e realizoi Tomas Oravec (55).
Ndeshja tjetër e Grupit F, ndërmjet Olimpic Marseille dhe Spartak Moska, ka shkuar në favorin e ekipit rus që shënoi fitore minimale 1-0, ndërsa njeriu tragjik ishte Cesar Azpilicueta, i cili shënoi autogol në portën e tij (82).
Bayern Munich, nënkampioni i Europës në fuqi, e mposhti Romën e Ranierit dhe Totit me rezultatin 2-0. Pas një pjese të parë pa gola, epërsia për bavarezët erdhi në minutën e 79-të. Pikërisht atëherë kur, pas një asistimi të Daniel van Buyten, Thomas Mueller mposhti portierin Julio Sergio.
Fitoren e vendasve e vulosi sulmuesi gjerman Miroslav Klose, me golin e dytë (83), duke vendosur edhe rezultatin përfundimtar të takimit. Në ndeshjen tjetër të Grupit E, kampioni i Rumanisë, Cluj, ka shënuar fitore me rezultat 2-1 ndaj kampionit të Zvicrës, Bazel.
Topçinjtë e Londrës kanë poshtëruar rëndë Bragën e Portugalisë, me plot 6 gola të shënuar në portën e tyre, pa pësuar asnjë. Nga tre gola të shënuara në secilën pjesë, i kanë dhënë fitoren e thellë 6-0 Arsenalit, në takimin e parë grupor të sezonit të Ligës së Kampionëve, zhvilluar në Emirates Stadium.
Djemtë e trajnerit Arsene Ëenger kaluan në avantazh të trefishtë që në pjesën e parë të ndeshjes.
Pas vetëm tetë minutash lojë, përforcimi i verës për Arsenalin, Marouane Chamack, fiton një penallti, pas ndërhyrjes së gabuar të portierit mysafir, Felipe, të cilën e kthen në gol kapiteni Cesc Fabregas.
Pas gjysmë ore lojë, Andrei Arshavin dyfishoi epërsinë për vendasit, me Fabregasin asistues. Nuk zgjati shumë dhe Topçinjtë gjetën edhe njëherë portën, dhe kësaj here në listë u shënua Chamack, pas një bashkëveprimi të mirë me Jack Wilshare (34).
Pjesa e dytë solli po aq gola dhe spektakël, sa edhe e para. Ishte përsëri Fabregas, që hapi serinë e golave të pjesës së dytë, po pas tetë minutash lojë në këtë pjesë, falë një asistimi të Arshavin.
Carlos Vela u fut në lojë si zëvendësues dhe arriti të gjejë dy herë portën kundërshtare (69 dhe 84), duke vulosur kështu fitoren e thellë të Arsenalit.
Në ndeshjen tjetër të Grupit H, ukrainasit e Shakhtar kanë arritur të shënojnë fitore minimale ndaj Partizanit të Beogradit.