Lewandowski jashtë fushës për 4 javë
Mynich, 31 mars - Ylli polak i Bayern Mynichut, Robert Lewandowski do të mbetet jashtë fushës për një muaj pasi pësoi një dëmtim në gju, njoftoi dje klubi gjerman i futbollit.
"Robert Lewandowski ka dëmtuar ligamentin në gjurin e tij të djathtë. Sulmuesi i FC Bayern do të jetë jashtë fushës për rreth katër javë”, theksoi Bayern Mynih në një njoftim.
Theksohet se Lewandowski, 32-vjeçar, u lëndua në fitoren 3-0 të Polonisë kundër Andorrës në ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës ndërsa sulmuesi me përvojë u kthye në Mynih për t'iu nënshtruar testeve mjekësore.
Lewandowski do të humbasë ndeshjet çerekfinale të ekipit të tij në Ligën e Kampionëve kundër klubit francez Paris Saint-Germain (PSG) më 7 prill në Mynih dhe 13 prill në Paris.
Këtë sezon, Lewandowski ka shënuar 42 gola në 36 paraqitje për Bayern Mynihun.