Lepenci mposhti KEK-un
Kastriot, 27 gusht - Skuadra e promovuar në Superligë, Lepenci nga Kaçaniku, ka arritur të regjistrojë edhe fitoren e dytë rresht.
Lepenci të shtunën mposhti KEK-un si mysafir me rezultatin 2:0. Ndeshja ishte e vlefshme për javën e dytë të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.
Florim Berisha në minutën e 14-të nga penalltia shënoi golin e parë për skuadrën nga Kaçaniku. Një minutë më herët mbrojtësi i KEK-ut, Naim Kodraliu, preku topin me dorë brenda zonës, pas gjuajtjes së Përparim Livorekës. Xhevdet Shabani shënoi golin e dytë në minutën e 76-të. Ai realizoi me goditje të saktë brenda zonës, pasi u shërbye nga sulmuesi Përparim Livoreka. Lepenci me këtë fitore ngrihet në pozitën e parë, të paktën deri të dielën kur luhen tri ndeshje të tjera të javës së dytë.