Leonardo suspendohet në afat të pacaktuar
Paris, 9 maj - Drejtori sportiv i Paris Saint Germainit, Leonardo, është suspenduar të mërkurën nga Komiteti Disiplinor i Ligës së Futbollit të Francës, deri në një vendim tjetër, derisa mbrojtësi i skuadrës parisiene Thiago Silva, ka marrë dy ndeshje suspendim për shkak të zënkës me arbitrin Alexandre Castro pas barazimit 1:1 të së dielës kundër Valenciennes.
Silva është ndëshkuar me karton të kuq në minutën e 43-të të ndeshjes të zhvilluar në Paris, pasi kishte vënë duart në gjoks të arbitrit.
Ky vendim i arbitrit për ta ndëshkuar Silvan, ka \"çmendur\" Leonardon, shtyu qëllimisht me krah Castron në tunel pas ndeshjes.
\"Komiteti pas raportit më të gjerë të marrë nga arbitri dhe delegati i ndeshjes, ka vendosur të hapë procedurë dhe të suspendojë Leonardon nga dita e mërkurë, 8 maj, deri në një njoftim të mëtutjeshëm\", thuhet në një komunikatë të Ligës së Futbollit të Francës.
Leonardo kishte mohuar të hënën sulmin ndaj arbitrit, duke thënë se ai ishte shtyrë në drejtim të arbitrit, por videoxhirimet treguan të kundërtën.
\"Kam dashur të flisja me arbitrin dhe kam pritur për të. Kishte shumë njerëz që po ktheheshin në zhveshtore dhe kur Castro arriti aty ishte delegati para meje duke u munduar të më bllokonte dhe më shtyu\", ka shpjeguar braziliani.