La Liga spanjolle mund të vazhdojë nga 11 qershori
Madrid, 25 maj - Presidenti i La Ligës spanjolle, Javier Tebas, është i bindur se kampionati i futbollit mund të fillojë më 11 qershor, edhe atë në derbin e Sevillas mes Sevillas dhe Real Betisit.
Tebas pranoi se njoftimi i kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez gjatë fundjavës së kaluar se gara sportive mund të vazhdojë nga 8 qershori e ka befasuar, por konfirmoi se përgatitjet për vazhdimin e sezonit kanë filluar menjëherë.
Ai po ashtu konfirmoi se nga klubet ka kërkuar që të jenë fleksibile dhe të respektojnë rekomandimet shëndetësore të qeverisë.
“La Liga do të vazhdojë në fundjavën e 12 dhe 13 qershorit. Por, ndeshja e parë mund të luhet më 11 qershor. E kemi ndërmend të fillojmë më 11 qershor, ndërsa ndeshja e parë do të ishte mes Sevillas dhe Real Betisit me fillim në ora 22:00. Gjatë javës do të luajmë në mbrëmje vonë, ndërsa për fundjavë do të kemi tri orare”, tha Tebas për mediat spanjolle.
Ai theksoi se të gjitha planet janë të përkohshme, ndërsa kthimi i klubeve të dy ligave më të fuqishme spanjolle në stërvitje të plotë pritet nga fundi i muajit maj ose në ditën e parë të qershorit. Tebas po ashtu rikujtoi lojtarët për nevojën e mbajtjes së distancës sociale dhe izolimit si pjesë e kthimit gradual në fushë.
Liga spanjolle është ndërprerë më 12 mars për shkak të pandemisë globale të koronavirusit të ri. Në momentin e ndërprerjes së sezonit, pas xhiros së 27-të, lider në tabelë është Barcelona me 58 pikë, dy më shumë se Real Madridi.