Ku është faji i dështimit në Samsun
Shkruar nga Agim Tahiraj
Boksierët si gjithmonë kanë sjell rezultate të lakmueshme nga rrafshi ndërkombëtar. Prandaj, me të drejtë edhe dashamirët e sportit presin suksese nga boksi gjatë këtij viti dhe në vitet e ardhshme.
Kosova ka mjaft talent në boksin amatorë dhe që pritet shumë prej tyre. Pa dyshim se në javën që e lamë pas morën pjesë në garën evropiane që ishte e vlefshme edhe për pikë olimpike, ani se nuk arritëm synimin që kishim para vetes, megjithatë, ishte një përvojë e mirë.
Si mund ta vlerësojmë Armend Xhoxhajn dhe Violant Sylejmanin, dy boksierë që kanë një potencial të mirë? Janë boksierë të mirë, por në sporte luftarake mund të ndodh që nuk e ke ditën tënde dhe të humbësh.
Në fakt, ata humbën në përballjet e para, por nuk duhet të merren edhe si shqetësuese, sepse niveli ynë do ende punë që të ngritët, pa e kritikuar askënd.
Në anën tjetër përgatitjet nuk iu kanë munguar boksierëve, sepse kanë punuar aq sa kanë mundur për të rritur formën e tyre para garës që u mbajt në Samsun.
Mirëpo, nëse analizojmë në tërësi mund të gjejmë edhe shkakun e mos suksesit, por tani për tani nuk dihet bash saktë se ku është faji.
Më së miri këtë përgjigje mund ta japin ata që udhëtojnë vazhdimisht në përgatitje dhe në garat me boksierë, se çfarë iu mungoi, sepse nuk arritën më shumë dhe faji i kujt është.
Në përgatitje boksierët janë rregullisht sidomos Xhoxhaj, i cili është një potencial vërtetë i madh, por që duhet një punë më profesionale me të, por edhe një trajtim më serioz sa i përket kushteve.
Sepse edhe kushtet janë arma kryesore që e bënë boksierin të ndihet më i gjallë e më i fortë në ring.
Ai sigurisht me kushte më të mira do të ishte edhe më i suksesshëm në ring në kategorinë 81 kg, ndërsa Sylejmanin mund të konstatojë se pak i mungojë përvoja në arenën ndërkombëtare.
Nëse shikojmë situatën në tërësi nuk mund të jemi bash edhe optimist, sepse duhet një punë më e mirë, sidomos në krijimin e kushteve.
Prandaj, me kushte e punë të mirëfilltë, shpresoj edhe me pak fat, do të jemi aty ku e meritojmë, sepse ky sport ka traditë dhe gjithmonë Kosovës i ka sjell medalje.
Jo vetëm këtyre dy boksierëve, por edhe të tjerëve duhet ti jepet rasti të dëshmohen, sepse kemi mjaft talent dhe që mund të na befasojnë për të mirë.
Puna dhe angazhimi, cilësia, sigurisht se do të sjellin suksesin që e duam dhe do të jemi të lartësuar në çdo garë në rrafshin ndërkombëtar.
/Autori është trajner i klubit të boksit e kick-box Rigoro nga Prishtina dhe gjyqtar i boksit/