Kryeparlamentari Veseli priti në takim Fadil Vokrrin
Prishtinë, 17 maj - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti në takim Fadil Vokrrin, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës. Duke përgëzuar z. Vokrri për suksesin historik të anëtarësimit të futbollit kosovar në UEFA dhe FIFA, kryetari Veseli theksoi se me punën tuaj mburremi të gjithë, mburret Kosova.
Më tutje kryetari Veseli shtoi se sportistët kosovarë, me talentin e tyre, janë duke dëshmuar përditë e më shumë se janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë në botë, që po i japin zë dhe identitet Kosovës në garat ndërkombëtare, prandaj edhe institucionet e shtetit do ti japin prioritet përkrahjes dhe investimeve kapitale në fuqizimin e sportit.
Nga ana e tij, Vokrri falënderoi kryetarin Veseli për përkushtimin e tij dhe të institucioneve që futbolli kosovar, pas anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, të jetë në nivelin e kushteve e standardeve për të qenë pjesë dinjitoze e kompeticioneve të futbollit evropian dhe atij botëror.
Në fund të takimit, kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri i dhuroi kryetarit Veseli një fanellë të përfaqësueses së Kosovës, me emrin e tij.