Kryeministri Kurti: E gjithë Kosova me zemër do të jetë me ju në Tokio

Prishtinë, 12 korrik - Në pamundësi për të qenë i pranishëm në ceremoninë e dorëzim-pranimit të flamurit shtetëror nga Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, te ekipi olimpik që do të përfaqësojë Republikën e Kosovës në Lojërat Olimpike, Tokio 2020, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, iu drejtua sportistëve nëpërmjet një video-mesazhi.
Kryeministri Kurti i tha ekipit të Kosovës se përgjegjësia që mbajnë me vete në Tokio është shumë e madhe, sepse do të përballen me shtete qindra herë më të mëdha se Kosova dhe traditë shumë më të gjatë në sport.
"Në mitologjinë greke, mali Olimp konsiderohej shtëpia e perëndive, e krijuar nga vetë perënditë olimpike. Sipas legjendës, Titanët, që ishin perënditë e vjetra, luftuan me perënditë e reja – me Olimpianët. Në atë luftë, që u zhvillua për të fituar kontrollin e botës, fituan të rinjtë – Olimpianët", tha kryeministri Kurti në video-mesazhin e dërguar nga Athina e Greqisë, ku po qëndron në vizitë zyrtare.
Ai u tha sportistëve se rezultatet e deritanishme na bëjnë të gjithëve krenarë dhe përkundër që do të jetë vetëm pjesëmarrja jonë e dytë në një Olimpiadë, na e keni mundësuar që të besojmë edhe më shumë në performancat tuaja.
Duke i falënderuar për kontributin dhe duke i uruar suksese secilit, kryeministri Kurti i tha ekipit reprezentues se ndonëse fizikisht nuk do të mund të jetë së bashku me ta në Tokio, ai dhe e gjithë Kosova do të jenë me zemër afër tyre.