Kristiano Ronaldo: Dua të hyj në histori
Londër, 27 shkurt - Rrëfehet lojtari më mediatik në botë. Ylli i Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo, ka qenë i pranishëm në Londër për prezantimin e këpucëve të reja sportive Nike, Mercurial Vapor SuperFly II, të cilat janë më të lehtat dhe më të shpejtat në treg.
Portugezi ka rinovuar kontratën me prodhuesin amerikan, një sponsorizim nga i cili do të përfitojë 6 milionë euro në vit, deri më 2014-n. Në këtë mënyrë, Ronaldo bëhet futbollisti më i paguar nga firma e aksesorëve sportivë, por ai është bërë më tepër protagonist me deklaratat për thuajse çdo temë.
Ronaldo, cili është lojtari që preferoni më shumë në botë?
Janë të shumtë futbollistët që i vlerësoj, por nuk është se kam një të preferuar.
Atëherë, cilët janë më të mirët në botë?
Kaka, Runi dhe Drogba.
Po ju ku ndodheni?
Unë? Nuk jam thjesht një lojtar, jam
dëfryes, kjo është arsyeja përse njerëzit më duan. Futbolli është argëtim dhe ata që e duan këtë sport, më duan edhe mua.
Sa përgjegjësi ju jep shiriti i kapitenit te Portugalia?
Një kapiten i ekipit kombëtar duhet të jetë gjithmonë vetvetja, i natyrshëm dhe nuk duhet të ndryshojë, edhe pse në Botëror shiriti të jep më shumë përgjegjësi, por edhe më shumë nder.
Ndodheni në një grup mjaft të vështirë në Afrikën e Jugut, në ndeshjen e parë luani kundër Brazilit. Çfarë mendimi keni?
Portugalia nuk duhet të mposhtë vetëm Brazilin, megjithatë ndeshja e parë do të jetë më e rëndësishmja dhe shumë emocionuese. Duhet ta fitojmë. Në dy përballjet e fundit me seleçao-n kemi arritur të fitojmë. Ëndërroj që Portugalia të luajë në finale, ndoshta kundër Brazilit. Do të luaj kundër Kakasë, një shok skuadre, të cilin e vlerësoj shumë.
Ëndrra e Kristiano Ronaldos pasi ka fituar Champions-in dhe Topin e Artë?
Objektivi im personal është që të hyj në historinë e futbollit. Kur nuk do të luaj më, dëshiroj të më kujtojnë si një kampion dhe të shërbej si shembull për të rinjtë. Kjo është arsyeja përse mendoj se triumfet më të mëdha janë ato që kam arritur me skuadrat dhe jo trofetë personalë. Familja dhe nëna ime janë njerëzit që kanë më shumë rëndësi për mua dhe që ndikojnë më tepër në jetën time.
Si ka nisur aventura juaj te Reali i Madridit?
Mirë, por shpresoj që të luaj më tepër: kam qëndruar për shumë kohë jashtë fushave për shkak dëmtimi.
Sa e ka ndier trajneri Pelegrini mungesën tuaj?
Nuk e di sa mund të ndryshojë Reali me apo pa mua, megjithatë një skuadër nuk varet vetëm nga një lojtar.
A besoni se mund ta fitoni La Liga-n?
Barcelona do të vijë për të luajtur në Bernabeu dhe kam besim se do ti mposhtim.
Për Ibrahimoviç çfarë mendimi keni?
Ibra është i jashtëzakonshëm, po paraqitet mirë te Barça. Për La Liga-n është diçka mjaft pozitive që ka një lojtar si ai.
Çfarë kërkoni nga kjo aventurë te Reali?
Dëshiroj që në Madrid të fitoj të njëjtët trofe që kam fituar me Mançester Junajtid.
Ndryshimet ndërmjet La Ligas dhe Premiershipit?
Në Angli ritmi i lojës është më i shpejtë, më fizik, ndërsa në Spanjë bazohen te teknika dhe loja e rrjedhshme.
Vazhdoni të jeni i lidhur me Mançester Junajtid?
Shumë. Vazhdoj të mbaj lidhje me ish-shokët e mi, por mbi të gjithë me Sër Aleks Ferguson, Runin dhe Anderson. Me ta flas përditë në telefon.
I habitur nga sezoni i jashtëzakonshëm i Uejn Runit?
Runi është një lojtar fitues dhe jo vetëm prej këtij sezoni, por i tillë ka qenë edhe në të kaluarën. Shpresoj që një ditë të luaj sërish përkrah tij, gjithçka është e mundur.
Për Zhoze Murinjon çfarë mendimi keni?
Është i zoti pasi
është portugez, njësoj si unë.
Po për sexy gate ku ishte përfshirë Xhon Terri?
Më vjen keq, por
nuk dua të bëj komente.