Krasniqi takoi basketbollistin kosovar Kenan Spahiu

Prishtinë, 5 gusht - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi priti sot në një takim basketbollistin kosovar që mbron ngjyrat e Turqisë, Kenan Spahiu, e që në kampionatin Evropian për U-18 ai u shpall lojtari më i mirë i kampionatit dhe e ndihmoi Turqinë që të fitojë këtë kampionat.
Prishtinasi Spahiu si i vogël ka nisur karrierën në Kosovë, dhe më pas është shpërngulur në Turqi. Ai aktualisht është lojtar i skuadrës Tofash.
Ministri Krasniqi e ka përgëzuar Kenanin dhe familjen e tij për sukseset e arritura duke thënë se përveç një sukses i tij personal dhe familjar, gjithë kjo e arritur deri tash është edhe një sukses i Kosovës, pasi ai në fakt është një i ri që ka dalë nga skuadrat e Kosovës në basketboll.
Ai tha se paraqitjet e fundit të Kenanit janë përcjellë nga mbarë opinioni vendor dhe të gjithë janë ndjerë krenarë që edhe një i ri nga Kosova po ec suksesshëm në basketbollin botëror duke shtuar se dita ditës Kosova po bëhet një emër që po nxjerrë gjeneratën e re në shumë sporte dhe këta të rinj po shndërrohen në një imazh të mirë për vendin tonë.
Gjithashtu, ministri ka njoftuar basketbollistin Spahiu me punët që MKRS dhe gjithë komuniteti sportiv në Kosovë po bën për të zhvilluar sportin brenda si dhe për ndërkombëtarizim.
Në këtë aspekt Ministri përmendi si hap tejet të rëndësishëm pjesëmarrjen e skuadrave të basketbollit në Kosovë në Ligën Ballkanike.
Kjo, tha ai, do të jetë një mundësi më shumë për promovimin e Kosovës, por më e rëndësishmja në afirmimin e të rinjve basketbollistë.
Nga ana e tij, basketbollisti Kenan Spahiu u shpreh i nderuar për pritjen dhe falënderoi ministrin dhe gjithë komunitetin e sportit në Kosovë për përkrahjen që i kanë dhënë gjatë ngritjes së tij në karrierë.
Ai foli për sfidat që e kanë përcjellë deri tash dhe potencoi se ai më shumë krenari në çdo paraqitje të tij e potencon se nga cili vend vjen dhe gjithmonë synon që me mundësitë e tij, të hapë rrugë për afirmimin edhe të talenteve të tjerë në basketboll.