12 Janar 2025

Krasniqi përserit kërkesën që Kosovës t’i hapen dyert në sport

New York, 5 qershor - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka takuar sot në New York, Presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Jacques Rogge, si dhe homologë të tij e udhëheqës federatash ndërkombëtare të sporteve të ndryshme.

Këto takime Ministri Krasniqi, i shoqëruar edhe nga Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, i ka zhvilluar në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin e Tretë Ndërkombëtar mbi Sportin për Paqe dhe Zhvillim, që po mbahet në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, nën organizimin e OKB-se dhe KON-it.

Ky Forum i nivelit të lartë, që zhvillon punimet sot e nesër, u hap sot nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-se, Ban Ki-moon dhe Presidenti i KON-it, Jacques Rogge. Në ceremoninë e hapjes,  Rogge i ka ndarë, sekretarit Ban Ki Moon, Urdhrin Olimpik, që është Çmimi me i lartë që ndanë Lëvizja Olimpike.

Gjatë bisedës me kreun e KON-it, Ministri Krasniqi e përgëzoi atë për punën që Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka bërë ne zhvillimin e sportit dhe ne shfrytëzimin e sportit për arritjen e paqes në vende të ndryshme të botës.

\"Ne shpresojmë se vlerat e olimpizmit dhe te sportit si mjet i paqes dhe zhvillimit do të depërtojnë përfundimisht edhe në Ballkan, përfshirë edhe Republikën e Kosoves, si vendi me përqindjen më të madhe te të rinjve në Evrope\", tha Ministri Krasniqi, duke shprehur gatishmërinë e komunitetit sportiv të Kosovës për t\'u bërë sa me parë pjesë e familjes olimpike.

Nga ana e tij z. Rogge, theksoi se sporti mund të luaj një rol të rëndësishëm në zhvillimin e të rinjve dhe po ashtu në arritjen e pajtimit rajonal, duke lënë pas mosmarrëveshjet e së kaluarës.

Ndërsa, në takimet me përfaqësues të federatave sportive ndërkombëtare dhe homologë të tij nga vende të ndryshme, Ministri Krasniqi, por edhe kreu i KOK-ut, Besim Hasani, kanë përsëritur edhe një herë kërkesën që Kosovës t’i hapen dyert në sport, duke theksuar edhe këtu potencialin e madh që ka Kosova në shumë sporte, dhe të dëshmuar tashmë edhe në arenën ndërkombëtare.

I organizuar bashkërisht nga KON dhe Zyra e OKB-së mbi Sportin për Zhvillim dhe Paqe, me mbështetjen e Komitetit Olimpik të SHBA-ve, ky eveniment i përdyvitshëm ka për qëllim të vlerësoj sukseset dhe sfidat e përdorimit të sportit si mjet për zhvillimin njerëzor dhe për promovimin e paqes, si dhe koordinimin e veprimeve të përbashkëta në të ardhmen në këto fusha.

Tema e Forumit të Tretë Ndërkombëtar mbi Sportin për Paqe dhe Zhvillim është \"Krijimi i një Vizioni të Përbashkët\", ndërsa temat e disa prej paneleve janë: Integrimi i Sportit në Zhvillim dhe Paqe; Kultura e Paqes përmes Sportit, Sporti dhe Përfshirja Sociale, Sporti dhe Trashëgimitë e Zhvillimit Social, etj. 

Gjatë vizitës së tij në New York, Ministri Krasniqi përveç pjesëmarrjes në punimet e Forumit, sot, do të marrë pjesë në një ceremoni përkujtimi për aktorin e njohur nga Kosova, Bekim Fehmiu, organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në SHBA.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)