Kosovari Hukiç mbron titullin e botës WBO
Berlin, 18 shkurt - Muamer Hukiç, i njohur ndryshe me emrin Marko Huk, ka mbrojtur për herë të dytë titullin e kampionit të botës në kategorinë cruiser të versionit WBO. Boksieri me origjinë kosovare, por që konkurron me flamurin e Gjermanisë, ka mposhtur të shtunën në mbrëmje amerikanin Adam Riçardson, në ringun e Berlinit.
25-vjeçarit i kanë mjaftuar vetëm tri raunde për të hedhur në tapet sfidantin e ardhur nga SHBA-ja, duke regjistruar fitoren e 28 në karrierë (21 prej të cilave me knock-out), ndërsa ka vetëm një humbje.
Triumfi i Hukiç është karakterizuar edhe nga një episod mjaft i veçantë: përveç rivalit Riçardson, në tapet boksieri kosovar hodhi edhe gjyqtarin e takimit, Mark Nelson, i cili u mundua të largonte amerikanin nga grushtet e fuqishme të kampionit.
Një ngjarje që çuditi të pranishmit në arenën e Berlinit, por edhe 4.1 milionë telespektatorët. Hukiç, i cili e fitoi titullin në gusht të vitit 2009, pas fitores me pikë përballë argjentinasit Viktor Emilio Ramirez, shpjegoi: Për një moment u habita, por më pas u argëtova.
Tashmë kosovari synon të konkurrojë në kategorinë e peshave të rënda dhe të sfidojë kampionin në fuqi, britanikun Devid Haje.