Kosova shënon progres në arenën ndërkombëtare
Prishtinë, 19 prill - Përfaqësuesja e Kosovës U-21 mbrëmë udhëtoi në Shkup pas ftesës nga Federata e Pingpongut e Maqedonisë për të zhvilluar një takim miqësorë në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta për ngritjen e cilësisë së pingpongut në rajon.
Përzgjedhësi Ylli Bislimi kishte kompozuar përfaqësuesen e Kosovës U-21 duke ftuar talentet e rinjë si Fatih Karabaxhaku, Kreshnik Mahmuti e Ylli Dragidella e që njëherit të njëjtit konsiderohen si sportistët e shpresës së Kosovës dhe kjo u dëshmua edhe në këtë ndeshje miqësore me ç ‘rast përfaqësuesja jonë shënoi fitore të ngushtë me rezultat 4:3.
Kjo ndeshje ishte shumë e rëndësishme pasi që muajve në vijim përfaqësuesja jonë do të garojë në kualifikimet evropiane në Itali dhe më pastaj në Kampionatin Ballkanik në Bosnje duke vazhduar me pjesëmarrje në Lojërat Mesdhetare në Terragona të Spanjës dhe angazhimi e rezultati i kësaj ndeshje miqësore do ti shërbejë përzgjedhësit në kompozimin e përfaqësueseve tona në formacionin më të mirë të mundur.
Në kuadër të ndeshjes miqësore udhëheqësit e dy federative patën mundësi të takohen dhe planifikojnë aktivitete të përbashkëta përgjatë vitit 2018 në mënyrë të avancimit e ngritjes së cilësisë së pingpongut.
Po ashtu, fundjavën që lamë pas, dy sportistët senior të Kosovës arritën të rrëmbejnë dy trofe të rëndësishëm nga qyteti i Tivatit në Malin e Zi, ku me 14 prill u organizua turneu ndërkombëtarë “Tivat 2018” në të cilin morën pjesë 9 shtete ballkanike.
Milot Makolli rrëmbeu medaljen e argjendit derisa Mentor Shabani ate të bronztë.
Dy sukseset e theksuara japin shpresë dhe motiv për pingpongun kosovar dhe janë një sinjal pozitiv për angazhimin dhe masivizimin që dita ditës po ngritët tek klubet kosovare dhe Federata e Pingpongut të Kosovës në përgjithësi.