Kosova në FIFA është ngjarje madhore për futbollin e Kosovës
Prishtinë, 16 maj - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka pritur në Aeroportin Adem Jashari Fadil Vokrrin pas kthimit të tij nga Meksika, ku mori pjesë në kongresin e FIFA-së.
Pranimi i Kosovës në FIFA është ngjarje madhore për futbollin e Kosovës, për shtetin tonë dhe për të ardhmen e rinisë, u shpreh Shala. Ai më tej e falënderoi Fadil Vokrrin për punën e madhe disavjeçare që ka bërë për futbollin e Kosovës dhe për meritat e jashtëzakonshme për këtë sukses historik.
Po ashtu ministri Shala u shpreh se do të vazhdojë bashkëpunimi i ngushtë me FFK-në, në funksion të përmirësimit të infrastrukturës sportive në vend dhe ngritjes cilësore të futbollit tonë.
Ndërsa Fadil Vokrri e falënderoi ministrin Shala për bashkëpunim e deritanishëm dhe u shpreh se kjo praktikë e mirë e bashkëpunimit do të vazhdojë edhe në të ardhmen në të mirë të futbollit të Kosovës.
Me këtë rast, Vokrri ia dorëzoi ministrit Shala në mënyrë simbolike emblemën e FIFA-së.