Kosova meriton të jetë në UEFA dhe FIFA


Presidenti Thaçi ishte nikoqir i delegacionit të përbërë nga Şenes Erzik, zëvendëspresident i UEFA-s, Peter Gilliéron, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Thierry Favre, drejtues për zhvillim të federatave kombëtare, dhe Luca Nicola, përgjegjës për federatat anëtare të FIFA-s.
Presidenti Thaçi falënderoi mysafirët për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme dhënë shtetit kosovar në aspiratat për tiu bashkuar UEFA-s dhe FIFA-s.
Kosova dëshiron dhe e meriton që së shpejti të anëtarësohet në UEFA dhe FIFA. Kemi talente në mbarë botën, që mezi presin të mbrojnë ngjyrat e Kosovës, ka thënë presidenti.
Thaçi, i cili shtoi se, këtë vit, Kosova shënon debutimin historik në Lojërat Olimpike.
Ndërkaq, zyrtarët e lartë të UEFA-s dhe FIFA-s u shprehën se këto institucione po e inspektojnë gjendjen e futbollit kosovar dhe se janë ndarë të kënaqur me investimet në infrastrukturën sportive.
Edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në takim zyrtarët e dy organizatave më të mëdha të futbollit në botë, UEFA-s dhe FIFA-s, të cilët po vizitojnë Kosovën.
Gjatë takimit me Senesh Erzik, kryetar i Asociacioneve të FIFA-s, Peter Gilleron, kryetar i FF-së së Zvicrës, që përfaqësojnë FIFA-n, si dhe Thierry Favre dhe Nicolas Luca përfaqësueses të UEFA-s, kryeministri Isa Mustafa theksoi rëndësinë e madhe që ka për Kosovën anëtarësimi në këto dy asociacione të futbollit.
Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Shala, dhe kryetari i Federatë së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.
Kryeministri Isa Mustafa foli për progresin dhe për përkushtimin e vazhdueshëm të FFK-së dhe institucioneve tjera për ngritjen e infrastrukturës dhe aspekteve tjera që lidhen me krijimin e kushteve për zhvillimin e futbollit kosovar.
Po ashtu, kryeministri Mustafa u shpreh se sporti i Kosovës dhe veçanërisht futbolli, do të kenë përkrahjen e vazhdueshme të institucioneve të Kosovës, të cilat po punojnë në vazhdimësi për avancimin e sportit, me infrastrukturë moderne, legjislacion dhe subvencionim.
Federata e Futbollit të Kosovës dhe institucionet tjera kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe ne me të drejtë presim që Kosova të anëtarësohet në UEFA dhe në FIFA, duke u bazuar në rezultatet e arritura, si dhe në nevojën që futbollistët dhe futbolli kosovar të jetë pjesë ë të gjitha garave të organizuara nga këto dy organizata si të gjitha vendet tjera, tha kryeministri Mustafa.