28 Dhjetor 2024

Kosova ka talentë të bollshëm të futbollit europian

Prishtinë, 2 maj -  Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, të cilit i uroi fat në prag të Kongresit të nesërm të UEFA-s, ku pritet të votohet për anëtarësimin e Kosovës në familjen e madhe të futbollit evropian.

 

Presidenti Thaçi përgëzoi Federatën e Futbollit të Kosovës për punën e shkëlqyer në angazhimin madhor për integrimin e sportit në arenën ndërkombëtare.

 

“Falë përkushtimit tuaj, të stafit dhe ekspertëve tuaj, si dhe përpjekjeve tuaja maksimale, fituam të drejtën nga UEFA që përfaqësuesja e Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore me shtetet e tjera”, u shpreh presidenti Thaçi, i cili shtoi se me këtë u dëshmua se Kosova po i plotëson gradualisht kriteret, standardet e nevojshme për pjesëmarrje në ligat europiane, por edhe në garat botërore të futbollit.

 

I pari i vendit tha se Kosova është një ambient me talentë të bollshëm dhe të jashtëzakonshëm të nivelit të futbollit europian, por edhe theksoi se vendi ynë do të investojë edhe më tepër në infrastrukturë.

 

“Ajo që është më me rëndësi është se dëshiroj të ju falënderoj shumë tani kur jemi në prag të mbajtjes së Kongresit të UEFA-s nesër në Budapest. Ju do të jeni aty me mesazhin më optimist dhe kuptimplotë dhe me besimin e fuqishëm e bindjen e plotë se do të fitohet shumica e mjaftueshme për mbështetjen e FFK-së që të jetë pjesë e UEFA dhe, menjëherë pas kësaj, edhe e FIFA”, theksoi Thaçi.

 

Presidenti Thaçi tha se anëtarësimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA do të jetë një sukses i madh dhe emblematik për futbollin dhe sportin e Kosovës, për shtetndërtimin dhe për fuqizimin e subjektivitetit të shtetit kosovar në botë, duke shtuar se të rinjtë tanë, pas një izolimi 25-vjeçar, do t’i tregojnë vlerat e tyre duke i mbrojtur ngjyrat e Kosovës, si në nivel të klubeve, ashtu edhe në përfaqësuese.

 

Nga ana tjetër, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, falënderoi presidentin Thaçi për mbështetjen e vazhdueshme dhënë FFK-së, e posaçërisht në vigjilje të udhëtimit të krerëve të FFK-së në Budapest, ku Kosova pret të anëtarësohet në UEFA.

 

“Ne shpresojmë se do ta kemi shumicën në këtë kongres dhe të hapim shtigje të reja për të rinjtë dhe të rejat tona, meqë kemi edhe futbollin e femrave”, tha Vokrri, i cili theksoi edhe vështirësitë ligjore që FFK i ka hasur deri në shtatorin e vitit të kaluar në Malta, ku u mor vendimi që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në UEFA të dërgohet në votim në kongres.

 

Vokrri falënderoi institucionet relevante të Kosovës për hapat e menjëhershëm që janë ndërmarrë në rregullimin e stadiumit të Mitrovicës, i cili, sipas tij, është më së afërmi që t’i plotësojë kushtet për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare.

 

Presidenti Thaçi theksoi se angazhimet e Kosovës për anëtarësim në UEFA dhe procesi i liberalizimit të vizave po përkojnë përafërsisht në të njëjtën kohë, duke e quajtur si një koincidencë pozitive për vendin tonë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)