Kosova dhe Kroacia gjobiten nga FIFA për brohoritjet kundër serbëve
Gjenevë, 3 nëntor - Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) e ka dënuar Federatën e Futbollit të Kosovës dhe atë të Kroacisë me gjithsej 80 mijë franga zvicerane, për brohoritjet e simpatizuesve të tyre kundër serbëve në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Botëror.
Simpatizuesit e të dy kombëtareve janë dëgjuar duke brohoritur vrasje serbëve në gjuhën shqipe dhe kroate, gjatë takimit Kosova Kroacia, e cila përfundoi me fitoren e kroatëve me rezultat bindës 6:0, raporton agjencia AP nga Cyrihu
Ky takim ishte zhvilluar më 6 tetor në Shkodër të Shqipërisë, pasi Kosova nuk ka ndonjë stadium të licencuar për ndeshje të nivelit të tillë.
Federata e Futbollit e Kroacisë është dënuar me 50 mijë, ndërsa ajo e Kosovës me 30 mijë franga zvicerane, ka njoftuar sot FIFA.