Kondirolli, Emini dhe Jasiqi shpallen notarët më të mirë të Kosovës
Prishtinë, 24 shkurt - Federata e Notit të Kosovës (FNK) shpalli sportistët më të mirë të Kosovës për vitin 2019.
Në këtë ceremoni, Klubi i notit “Nemo” nga Prishtina - rrëmbeu tri cmime për notarët më të mirë të Kosovës: Olt Kondirolli i lindur në vitin 2003, Lisa Emini e lindur në 2010 dhe Joana Jasiqi e lindur në 2010.
Notari më i mirë në Kosovë për vitin 2019, u shpall notari i klubit tonë Olt Kondirolli. Në aktivitetet pjesëmarrëse gjatë vitit 2019 të organizuara nga FNK, Olti është mbajtës i 5 rekordeve të Kosovës. Njëkohësisht, ai përfaqësoi Kosovën në: European Youth Summer Festival – Baku 2019, FINA World Junior Swimming Championships – Budapest 2019, European Short Course Swimming Championships – Glasgoë 2019.
Lisa Emini, talente e përfolur në komunitetin e notit, u shpall më e mira e Kosovës për grupmoshat 2010 e më të reja. Nga gjashtë disiplina, sa ekzistojnë në FNK për grupmoshat e reja, Lisa vendosi 3 rekorde të notit në Kosovë në: 50m Krol, 100m Krol dhe 50m Shpinë.
Joana Jasiqi, bretkocashja më e mirë në Kosovë për grupmoshat e reja, është mbajtëse e tri rekordeve tjera të FNK-së: 50m Bretkocë, 100m Bretkocë dhe 50m Delfinë. Joana u shpall notarja e tretë më e mirë e Kosovës për grupmoshat 2010 e më të reja.
Klubi i notit “Nemo” është një ndër klubet më të reja të Federatës së Notit të Kosovës, i cili po jep shembull të punës dhe kualitetit të rezultateve në Kosovë. Trenerë të klubit janë: Daulina Osmani dhe Endrit Svecla – dy ish-kampion të Kosovës në not.