Kombëtarja e Kosovës i jep fund bashkëpunimit me Bernard Challandes
Prishtinë, 13 tetor - Federata e Futbollit e Kosovës i ka dhënë fund bashkëpunimit me trajnerin zviceran, Bernard Challandes, në rolin e përzgjedhësit të kombëtares.
Një vendim i tillë është bërë i ditur për opinionin në një konferencë për media ku ishin të pranishëm presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe trajneri Challandes.
Ademi njoftoi se pas bisedës me trajnerin zviceran kanë ardhur në përfundim për t’i dhënë fund bashkëpunimit të deritashëm.
Ai e ka falënderuar përzgjedhësin Challandes për punën e mirë në drejtimin e kombëtares, veçmas në Ligën e Kombeve.
“Duke i pasur parasysh objektivat tona, me marrëveshje të përbashkët kemi vendosur për t’i dhënë fund bashkëpunimit në rolin e përzgjedhësit. E falënderojmë Challandes për punën e tij pasi ajo çfarë kemi bërë në Ligën e Kombeve ka qenë historike, por më pas gjatë rrugës nuk i kemi përmbushur objektivat”, tha Ademi.
Ndërkaq, Challandes është shprehur i mërzitur që më nuk do të jetë trajner i "Dardanëve", duke theksuar se ka kaluar kohë shumë të mirë me të gjithë në Kosovë.
“Kishim synim në fillim të ndërtojmë një ekip të vërtetë dhe të mirë. Isha i lumtur me këtë punë dhe gjithashtu krenar me punën që e kemi bërë. Kam pasur kënaqësinë të punoj me ketë ekip dhe për këtë arsye jam i mërzitur që po largohem. Si trajner kam kaluar një kohë shumë të mirë dhe i falënderoj të gjithë për bashkëpunimin duke filluar nga federata, lojtarët dhe stafi përcjellës”, ka thënë ai.
Challandes tha se është i mërzitur vetëm për shkak të rezultateve.
“Shpresoj të kthehem t’i shoh ndeshjet e Kosovës në të ardhmen pasi besoj se tashmë e kemi ndërtuar hapin e parë dhe për të arritur të dytin nuk është aspak e lehtë“, shtoi Challandes, i cili ka falënderuar presidentin Ademi, stafin e federatës, lojtarët dhe tifozët për mbështetjen e vazhdueshme.
Challandes e ka drejtuar Kosovën në 40 ndeshje, 17 prej të cilave i ka fituar, 15 i ka humbur dhe tetë prej tyre kanë dalë barazim.
Kosova mbrëmë priti në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë kombëtaren e Gjeorgjisë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botërorë “Katar 2022”, ku humbi me rezultat 1 me 2.