Këshilli trajton rastet e dhunës në sport
Prishtinë, 7 maj - Dje është mbajtur takimi i jashtëzakonshëm i Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive të Tjera Negative në Ngjarjet Sportive.
Qëllimi i takimit ishte adresimi i ngjarjes së fundit në ndeshjen e basketbollit, mes klubeve ‘KB Ponte’ nga Prizreni dhe ‘KB Peja’.
Në takim ka marrë pjesë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku, zëvendësministrja e MKRS –së, znj. Daulina Osmani dhe në bazë të çështjes për diskutim, ka marrë pjesë edhe kryetari i Federatës së Basketbollit, Arben Fetahu.
Rastet e dhunës në sport janë çështje që Këshilli i trajton me seriozitetin më të lartë. Nga njoftimi i rastit të ndodhur në Prizren, Këshilli ka kërkuar nga Prokuroria hetimin e plotë të rastit e cila ka njoftuar se tashmë një gjë e tillë ka filluar dhe deri më tani, ndaj disa personave, Prokuria e Prizrenit, ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orë.
Policia e Kosovës dhe autoritetet tjera të sigurisë poashtu kanë njoftuar se janë duke bërë verifikimin e informatave dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë përmes intervistimeve dhe mbledhjes së provave.
Në kuadër të takimit të jashtëzakonshëm anëtarët e Këshillit kanë pranuar inçizime shtesë të cilat tashmë janë proceduar në Prokurori. Më tutje Këshilli do të përcjellë rastin në vazhdimësi deri në zbardhjen e tij.
Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive të Tjera Negative në Ngjarjet Sportive, ritheksoi vendosmërinë për të ndërmarrë të gjitha veprimet në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive të tij për të bashkëpunuar me të gjitha autoritetet relevante me qëllim që adresimi i përgjegjësive ndaj atyre që përfshihen në akte të dhunës dhe dukurive tjera negative në ngjarjet sportive, të jetë i plotë dhe proporcional me veprimet e kundërligjshme.
Këshilli po ashtu i dha mbështetje reagimit të Federatës së Basketbollit, në adresimin e përgjegjësisë disiplinore dhe organizative ndaj palëve të përfshira në këtë rast.
Po ashtu, javën e kaluar Këshilli ka mbajtur një takim për të adresuar shqetësimet e fundit lidhur me kurdisjet e mundshme në ndeshjet e futbollit. Kurdisjet paraqesin problem serioz dhe të gjitha pretendimet duhet të mbështeten në fakte dhe trajtimi i secilit rast duhet të bëhet në përputhje me ligjet në fuqi.